E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërpritet uji në mes të sezonit turistik në Golem, banorët: Kërkohet lidhja e kontratave të reja

Në kulmin e sezonit turistik ndërmarrja e ujësjellës kanalizimeve të Kavajës ka nisur ndërprerjen e ujit të pijshëm në zonën e Golemit, për të gjithë klientët familjarë dhe subjekte private, duke kërkuar lidhjen e kontratave të reja.

Kjo zonë është ndër të më të frekuentuarat nga pushuesit në zonën e verës të cilët e kanë konsideruar këtë aksion të ujësjellësit si një skandal që ndodh në kulmin e sezonit turistik.

“Dje iki në orën 9:00 në plazh. Nuk kishte ardhur asnjë njeri që të paralajmëronte, se ne do të heqim ujin. Erdhi në orën 12:00 bashkëshorti dhe nuk gjeti asnjë njeri se kush e kishte prerë ujin dhe kishte marrë sahatët. Kishin prerë ujin, kishin marrë sahatët dhe kishin vendosur një letër tek dera. Ne kemi paguar ujin rregullisht. Që para 10 vitesh kur kemi blerë shtëpinë”, u shpreh një banore.

“Për cdo familje kërkojnë 140 mijë lekë kontratë”, u shpreh një tjetër banor.

“Unë lekët i kam paguar dhe nuk kam asnjë pikë uji, që prej ditës së djeshme. Burrin e kam sëmurë, rrobat duhen larë dhe shpërlarë. Unë jam pushuese dhe kam ardhur nga Tirana, si ka mundësi. Cfarë kusuri kam unë”, tha një pushuese

“Në vend që ti afrojnë turistët i largojnë, cfarë ti themi Komunës. Njerëzit vijnë dhe ikin”, theksoi një tjetër banor.

Më i penalizuar nga ky aksion duket se është biznesi, i cili apelon se në këtë mënyrë po shkatërrohet turizmi.

“Kontratën e ujit e kemi pas lidhur ne. Kemi dhe librezat. Tani ato kërkojnë ta bëjmë për së dyti. Lokali sic e shikoni është bosh. Nuk ka ujë, pjatat janë pa larë”, u shpreh një biznesmen.

“Ne nuk mund të bëjmë një kontratë pasi e kemi bërë një kontratë para, si mund të bëjmë kontratë dytësore, kjo është gjë e kotë. Nuk bëhet dot”, u shpreh një tjetër biznesmene.

Nga ana tjetër ndërmarrja e ujësjellës kanalizimeve në Kavajë deklarohet e vendosur në vendimin e saj duke vijuar me aksionin e ndërprerjes së ujit të pijshëm tek konsumatorët.

“Ne kërkojmë nga të gjithë abonentët lidhje ne kontratës për tu bërë të ligjshëm me ndërmarrjen e ujësjellës kanalizimeve Kavajë”, shprehet Abi Lushi, shef i Taskë-Forcës së ujësjellësit në Kavajë. 

Ekipi i Avokatit të Popullit ka zbritur në malin e Robit dhe kontaktoi me banorët. Ekipi u shpreh shumë i shqetësuar për ngjarjen paradoksale të shkaktuar nga strukturat e pushtetit lokal në Kavajë.

(e.m/News24/BalkanWeb)
Lidhje te tjera VIDEO: “Skandali”, ndërpritet uji në mes të sezonit turistik në Golem

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›