Ndërrimi i viteve, festa kaloi pa incidente të mëdha

Ashtu siç do vit edhe këtë herë, festa e Vitit të Ri është kaluar jo pa incidente. Midis datave 31 dhjetor dhe 1 janar në Tiranë kanë ndodhur 3 aksidente automobilistike të cilat për fat të mirë nuk kanë shkaktuar dëme në njerëz. Personat e përfshirë në këto aksidente kanë pësuar vetëm dëmtime të lehta ndërsa të pakta janë dëmet materiale. Fishekzjarret këtë vit kanë lënë pasoja edhe pse në një masë shumë herë më të ulët se vitet paraardhëse. Gjashtë persona i janë drejtuar repartit të djegieve në QSUT të cilët kanë patur dëmtime të lehta nga fishekzjarret. Këtë vit forcat e policisë kanë përballuar një situatë më të qetë, pa shumë incidente apo krime të ndryshme. Dy persona janë prangosur nga blutë e kryeqytetit duke u gdhirë data 1 janar i vitit 2012, të cilët dyshohen për grabitje të kryer në datën 31 dhjetor. Nata e gjatë festive gjithashtu është kaluar e qetë dhe pa sherre midis personave të dehur nëpër rrugë, sherre të cilat kanë shoqëruar çdo vit natën festive në Tiranë. Edhe pse festat kaluan pa incidente nga ana e forcave të policisë disa ditë më parë u morën masa shtesë për të ruajtur rendin. Në kuadër të festave, thuajse çdo kryqëzim i Tiranës mbikqyrej nga patrullat e policisë rrugore. Po ashtu masa të shumta sigurie u morën edhe nga patrullat e ruajtjes së qetësisë publike të cilat mbikqërnin aktivitetet festiv të qytetarëve nëpër rrugë.Nga ana e forcave të policisë pati një rritje të vigjilencës për mbikqyrjen e personave me precedentë penalë.