E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusi-Gjeorgji dhe mësimi për ne të tjerët

Gjeorgjia dhe udhëheqja e saj properëndimore bëri një gabim infantil më 6 gusht. Ajo ra viktimë me sa duket e Shërbimeve të Fshehta Ruse dhe provokimeve të Moskës, duke nisur një luftë në kohën e gabuar, në vendin e gabuar, kundër një armiku që është i njohur për ruletën e tij, ashtu si grekët janë të famshëm për Kalin e Trojës.

Lufta nuk është një lodër kalamajsh. Me të nuk luhet. Kur e fillon atë duhet ta fillosh tamam i përgatitur, ose mos e fillo fare. Në vend të ruante gjakftohtësinë dhe t’u shmangej me çdo kusht provokacioneve të përsëritura të Moskës, Gjeorgjia i humbi të dyja dhe u fut në një luftë të pabarabartë dhe shumë të rrezikshme jo vetëm për veten e saj. Nisja e luftës nga Gjeorgjia ishte një gabim foshnjarak me çmim shumë të lartë: me viktima të shumta, me humbje të mëdha dhe me pasoja të paparashikueshme. Ofensiva ruse është një krim kundër një populli e një shteti sovran, të futur në kurth nga Kremlini nëpërmjet politikës së tyre të ruletës ruse dhe shërbimeve të fshehta.

Vazhdimi e shkallëzimi i saj i mëtejshëm nga Stalini i ri-Putin është një krim kundër njerëzimit, që rrezikon të marrë përmasa tepër të rrezikshme e të paparashikueshme, jo vetëm për rajonin, Evropën, por edhe për Botën në përgjithësi.

Rusia e fuqizuar ekonomikisht nga rritja galopante e çmimit të naftës, gazit, arit, nga investimet e mëdha perëndimore, e forcuar shumë ushtarakisht pas ardhjes në fuqi të regjimit autokratik të Putinit e krijoi vetë dhe po e shfrytëzon këtë “casus beli” (rast të mirë) për të realizuar synimet e saj ekspansioniste dhe hegjemoniste jo vetëm në rajonin përreth, por edhe më gjerë. Ajo u hodh në ofensivë shumë-frontëshe kundër qeverisë më pro-perëndimore në krejt rajonin, siç është Gjeorgjia. "Ky President duhet të iki", i deklaroi shefi i diplomacisë ruse, Lavirov, shefes së diplomacisë amerikane, Rice, në bisedën e tyre telefonike për të zgjidhur konfliktin.

Pra, nuk bëhet fjalë për popullsinë ruse e Osetinë Jugore apo Akhbazinë. Bëhet fjalë hapur, pa dorashka, për përmbysjen e një qeverie dhe të një presidenti të zgjedhur në mënyrë demokratike nga populli i Gjeorgjisë. Osetia Jugore, pra, është sebepi i sajuar dhe nxitur nga vetë Moska. Rifutja e Gjeorgjisë nën ombrellën e hegjemonisë ruse dhe vendosja e një qeverie pro-ruse në Tbilis, është qëllimi.

Synimi afatshkurtër i Moskës është të frikësojë edhe qeveri të tjera demokratike e pro-perëndimore rreth e përqark Rusisë, për t’i larguar nga politika e tyre për t’u anëtarësuar në NATO, për lidhje të forta me Perëndimin.

Qëllimi strategjik i Moskës është t’i tregojë Perëndimit demokratik dhe SHBA-se se Rusia sot është përsëri superfuqi që kërkon zonat e veta të influencës. Vetë retorika antiamerikane që po përdorin hapur Putini, Medvedevi, Lavrovi dhe përfaqësuesi i tyre Çurkin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dëshmojnë se lufta e nxehtë e me shumë viktima e dëme në Gjeorgji është preludi i një lufte të re të ftohtë dhe konflikteve të nxehta nga ana e Moskës. Popuj, vigjilentë! Shqiptarë, vigjilentë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›