Ndërroi jetë veprimtari Ukë Kelmendi

Ka ndërruar jetë në moshën 69 vjeçare, pas një sëmundjeje të shkurtër, veprimtari i çështjes kombëtare, Ukë (Ramë) Kelmendi.
Kelmendi ishte anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës që nga themelimi i saj, dhe i angazhuar aktivisht ne çështjen e çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës.
Pas luftës, ishte anëtar i Kuvendit Komunal në Pejë dhe drejtor në Ekonominë Pyjore në Pejë. Më pas, punoi si drejtor i Drejtorisë së Planifikimit dhe Urbanizmit në Komunën e Pejës, nën udhëheqjen e të cilit u hartua Plani Zhvillimor Komunal dhe Urban për Pejë.
Ai njihej nga bashkëqytetarët për atdhetarizmin e tij, përkushtimin për çështjen kombëtare dhe entuziazmin e pashterrur.
“Ukë Kelmendi u lind dhe u rrit në një familje tradicionale të Rugovës, familje intelektuale, e përkushtuar shumë për dije, ku pothuajse e gjithë familja kontribuan për vendin dhe Kosovën. Ai kontribut nuk u ndal asnjëherë as në periudhën e paraluftës, gjatë luftës e pas lufte. Mbetem pa një njeri të përkushtuar për familjen, shoqërinë, institucionet, partitë politike dhe Kosovën”, tha mes tjerash kryetari i Komunës së Pejës, Ali Berisha, në akademinë mortore të organizuar nën patronatin e Komunës së Pejës.
Kelmendi u varros të enjten, 27 qershor 2013. La pas të shoqen dhe shtatë fëmijë, pesë vajza dhe dy djem. /Indeksonline/
Ukë Kelmendi, 1989
Ukë Kelmendi, 1989