LDK: Sjellja e VV-së në kundërshtim me normat demokratike

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), vlerëson se veprimet e djeshme të Lëvizjes Vetëvendosje, jashtë dhe brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk sjellin asnjë të mirë për vendin tonë dhe janë në kundërshtim me normat demokratike.
Lidhja Demokratike e Kosovës e respekton të drejtën e secilit për të shprehur mendimin dhe qëndrimin e tij, ashtu si e garantojnë Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, thuhet në një njoftim të kësaj partie.
”Ne jemi përcaktuar për një shtet demokratik, në të cilin vendoset me votë dhe vota e shumicës është përcaktuese. Ne mendojmë se kjo duhet të respektohet nga të gjithë. Ne të gjithë duhet t’i respektojmë institucionet dhe rregullat në bazë të të cilave funksionojnë institucionet”, thuhet në njoftim.
LDK e konsideron të papranueshme që deputet e Kuvendit të Republikës së Kosovës të pengohen të hyjnë në Kuvend, disa e kanë pasur të pamundur të hyjnë deri në fund të seancës.
”Është shumë e dëmshme për Kosovën dhe për raportet që kemi me partnerët tanë ndërkombëtarë që të pengohen të hyjnë në Kuvendin e Kosovës diplomatët e ftuar nga institucioni dhe e konsiderojmë tepër të papranueshme dhe të dëmshme pengimin që i është bërë Ambasadores amerikane, përfaqësueses më të lartë të vendit më mik që ka Kosova, të hyjë në Kuvend.
Ne duhet ta respektojmë lirinë e secilit dhe duhet të sillemi në përputhje me normat më të mira demokratike dhe ligjore”, vlerëson LDK./Indeksonline/