Ndërron jetë Marinova, përkthyesja e letërsisë shqipe
Marina Marinova, studiuese, kritike e letërsisë me kontribut gati gjysmëshekullor në përkthimin e autorëve shqiptarë në gjuhën bullgare, ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare. Me përkthimin e prozës së Migjenit më 1958 e më pas të poezisë, ajo vendos një raport të qëndrueshëm me letërsinë shqipe.
Më 1966 botohet në gjuhën bullgare përkthimi i saj i romanit të Ismail Kadaresë Gjenerali i ushtrisë së vdekur dhe këtu Kadare bëhet autori qendror në punën e Marinovës. Përkthen mjaft vepra prej korpusit Kadare. Autorë të tjerë që flasin bullgarisht nëpërmjet saj janë Besnik Mustafaj, Dritëro Agollit, Rexhep Qosja etj.
Më 2005 Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, e dekoroi me urdhrin Medalje mirënjohjeje për kontributin e saj në njohjen e letërsisë shqiptare në Bullgari dhe veprimtarinë e saj shumëvjeçare në dobi të kulturës shqiptare.