E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërron jetë aktori shkodran Ndrek Prela

Nga Anila Dushi

Aktori Ndrek Prela

SHKODËR – Është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare aktori shkodran Ndrek Prela, Artist i Merituar  Interpretuesi i dhjetëra roleve në teatër e kinematografi ka ndërruar jetë mbrëmjen e së premtes në Shkodër. Në nderim të tij janë bërë homazhe nga qytetarë shkodranë, dashamirës të artit, si dhe autoritete të larta të shtetit. Arkivoli me trupin e Ndrek Prelës është vendosur në hollin e teatrit Migjeni, aty ku ai luajti me qindra herë role të ndryshme. Ndrek Prela ka lindur më 20 mars 1920 në Tivar të Malit të Zi, në një familje shqiptare. Ai e kaloi fëmijërinë e tij në Argjentinë, ku babai i tij kishte emigruar për arsye ekonomike dhe që andej familja e tij zhvendoset në Shkodër. Ndrek Prela bëri debutimin e tij në skenë në Shkodër në fund të viteve 40 dhe shpejt u bë një nga aktorët më të popullarizuar. Derisa doli në pension, Ndrek Prela është i pranishëm thuajse në të gjitha veprat skenike të trupës së dramës së teatrit të Shkodrës, me role të ndryshme e të larmishme. Në vitin 1963 debuton dhe në kinematografi me një rol dytësor tel filmi Detyrë e posaçme, për të vazhduar më pas me filma të tjerë, si Komisari i dritës, Në fillim të verës, Në pyjet me borë ka jetë, Emblema e dikurshme, Balonat, Qortimet e vjeshtës, Militani, Balada e Kurbinit etj. Ndonëse interpretues i roleve të dyta, Ndrek Prela ka mundur të krijojë një profil artistik të veçantë, me mjeshtri interpretative dhe skalitje rolesh që mbesin në mendje. Të tilla janë gjyshi tek filmi Komisari i dritës, xha Rizai tek Në fillim të verës, Xhiko tek filmi Në pyjet me borë ka jetë etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›