E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia e Gruevskit, kundër minoritetit shqiptar

Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski

Partia e kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE konteston përqindjen e shqiptarëve në Maqedoni. Gruevski deklaroi se në regjistrimin e vitit 2002, kur në qeveri ishte partia e Branko Cërvenkovskit, LSDM,  janë regjistruar rreth 120 mijë shqiptarë më tepër nga numri real.

Gjatë debatit parlamentar për shfuqizimin e ligjit të Regjistrimit, akuzat e këtilla janë hedhur poshtë nga deputetët e LSDM-së, të cilët kanë thënë se kryeministri Gruevski përmes akuzave të pabaza, po tenton ta fsheh keqpërdorimin e 14 milionë eurove të harxhuara në 10 ditët e para të regjistrimit.

Ju jeni falsifikatorët e regjistrimit të vitit 2002. LSDM-ja dhe askush tjetër. VMRO-DPMNE-ja do të veprojë sipas interesave kombëtare dhe shtetërore të Maqedonisë. Prandaj për të shmangur përsëritjen e falsifikimit, sot kemi propozuar ligj për ndërprerjen e regjistrimit, u shpreh Ilija Dimovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Nëse besoni se 120 mijë shqiptarë janë falsifikuar në vitin 2002, pse nuk keni ngritur asnjë padi penale deri më tani për ata që e ka bërë falsifikimin? u shpreh Emiljan Stankoviç, deputet i LSDM-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›