E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu: Politika ka vendosur monopolin mbi gjyqësorin

 

Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë u bën thirrje gjyqtarëve t'i tregojnë vendin politikës së korruptuar

TIRANË- Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, akuzon politikën për ndërhyrje në kuadrin ligjor të infrastrukturës dhe funksionimit të gjyqësorit. "Politika ka vendosur monopolin për rregullat e lojës, për kuadrin ligjor dhe infrastrukturën ku punon pushteti gjyqësor. Ashtu si dhe nuk i ka garantuar dhe siguruar një pavarësi financiare. Një pushtet i cili nuk gëzon pavarësinë ekonomike, padyshim që ka vënë në dyshim autoritetin dhe forcën e vet. Kjo është një luftë, të cilën pushteti gjyqësor dhe gjyqtarët duhet ta vazhdojnë",-ka pohuar dje Spahiu, gjatë një prononcimi për mediat. Nënkryetari Spahiu gjithashtu gjatë fjalës së tij mbështeti togat e zeza në punën e tyre, duke u bërë thirrje të ndëshkojnë sipas ligjit të gjithë politikanët e përfshirë në afera korruptive. Numri dy i KLD-së, Kreshnik Spahiu iu përgjigj edhe frikës së gjyqtarëve, që ndihen të pafuqishëm përballë deklaratave të politikanëve dhe vetë politikës në dhënien e drejtësisë.

***

"Një pushtet i fortë me gjyqtarë që gëzojnë të drejtat kushtetuese ka ardhur koha t'i tregojë vendin politikës së korruptuar dhe politikanëve që abuzojnë me pushtetin dhe përfshihen në afera"-tha Spahiu. Duke iu drejtuar togave të zeza se: "nuk ka pse të keni kompleksin e frikës së presionit nga politika, madje ata duhet të përdorin presionin e tyre ligjor kundër politikanëve të korruptuar". Sipas nënkryetarit të Këshillit, ka ardhur koha që gjyqtarët të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese, duke i ndëshkuar sipas ligjit të gjithë ata persona të korruptuar, qofshin edhe politikanë. Gjithashtu i pyetur për deklaratën e tij, gjatë analizës vjetore të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, Krujës, Dibrës, Matit etj, se në gjyqësor ka fraksione, Spahiu u përgjigj se kjo qëndron, pasi me mbarimin e inspektimit në Gjykatën e Tiranës, kanë dalë mbi sipërfaqeklanet dhe grupet e interesit që kanë konflikt në një gjykatë. "Dje ka përfunduar një kontroll në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, ku kanë dalë rezultate konkrete dhe padyshim ka emra konkretë të cilët përbëjnë konflikt interesi. Por për t'i mos i hequr kënaqësinë dhe të drejtën vetes për të votuar në KLD, nuk mund ta paragjykoj se kush dhe ku janë fajtorët. Në ditët në vijim do të kemi propozime konkrete për faktet provat dhe të dhënat që ne kemi siguruar nga kontrolli i gjykatës",-tha Spahiu, duke nënvizuar se askush nga radhët e gjyqësorit që abuzon me ligjin, nuk do t'i shpëtojë procedimeve ligjore të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

***

Ndërkaq, në lidhje me mbledhjen e radhës, ku KLD-ja do të zgjedhë nga numri jo i vogël i kandidatëve emrat për24 kryetarë gjykatash, Spahiu bëri të ditur detaje në lidhje me mënyrën e përzgjedhjes së tyre duke njoftuar edhe për takimet e shpeshta të tij me Presidentin e Republikës, njëkohësisht kryetarin e KLD-së, Bamir Topi. "Këto takime pune janë të zakonshme dhe ndër të tjera ne kemi përcaktuar dhe rendin e ditës për një nga aktivitetet më të mëdha dhe me përmasa kombëtare. Për herë të parë në historinë e pushtetit gjyqësor do të zhvillohet një takim masiv i hapur i KLD-së, për të zhvilluar prezantimin e fushatës për kandidatët për kryetarë gjykatash. Do të jetë një mbledhje e hapur, e cila do të zgjasë nga ora 08:30 e mëngjesit deri në orën 21:00 të datës 21 Prill dhe të datës 22 Prill. Për shkak të kërkesave dhe garës së hapur kanë kandiduar shumë gjyqtarë për disa gjykata",-tha Spahiu, duke bërë të ditur madje, se kemi disa gjykata ku çdo gjyqtar ka kandiduar dhe pretendon të jetë drejtues i asaj gjykate. Sipas Spahiut në këto dy ditë maratonë të përzgjedhjes së kryetarëve të gjykatave, do të jenë pjesëmarrës juristë, prokurorë, avokatë, gjyqtarë, ekspertë dhe diplomat të huaj si dhe media.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›