Kushtetuesja lë në fuqi ligjin për Akademinë
Gjykata Kushtetuese shqyrton ankesat e deputetëve opozitarë, por nuk rrëzon ligjin e qeverisë
TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka marrë në shqyrtim kërkesën e një grupi deputetësh opozitarë për shpalljen si antikushtetues të ligjit për "Akademinë e Shkencës". Në seancën e djeshme, palët në konflikt, pra përfaqësuesi i palës ankimuese, avokati Dashamir Kola dhe përfaqësuesi i Kuvendit si palë e interesuar, Lulëzim Lelçaj kanë bërë prezente para trupës gjykuese pretendimet e veta në lidhje me ligjin në fjalë. Kërkuesit e mbështesnin pretendimin e vet në nenin 57 të Kushtetutës për autonominë e universiteteve dhe shkencës, si dhe në vendimin 36 të Gjykatës Kushtetuese për ligjin e parë të Akademisë së Shkencës. Sipas avokatit të palës ankimuese, Komiteti i Reformimit të Akademisë së Shkencave (KRASH) që funksionon pranë qeverisë është organ i emëruar dhe për rrjedhojë nuk mund të ketë atribut reformimi. Gjithashtu sipas tij ligji krijon pabarazi dhe diskriminim midis akademikëve në rastin e dhënies së titullit akademikë të përhershëm. Sipas avokatit Kola, titulli akademik jepet në bazë të aftësive dhe meritave shkencore dhe për rrjedhojë, vlerësim që në vetvete është subjektiv dhe lë vend për diskriminim. Për rrjedhojë, ka theksuar ai të gjitha këto elementë e bëjnë ligjin antikushtetues dhe të pazbatueshëm në praktikë. Nderkohë që pala mbrojtëse dhe përfaqsuesi i qeverisë, këshilltari i kryeministrit për çështjet e arsimit, Myqerem Tafaj, kanë vlerësuar ligjin si një përpjekje për reformimin e akademisë si një institucion modern dhe praktik. Ndërkohë që pyetjet e trupit gjykues janë përqëndruar pikërisht tek organi i posaçëm që ka ngritur qeveria për reformimin e Aklademisë së Shkencës. Ata kanë shtruar pyetjet se përse KRASH në mazhorancën e vet është i përbërë nga përfaqësues të qeverisë dhe jo akademikët, si dhe cilat janë kriteret e caktuara që do të përdoren për dhënien e titullit akademik të përhershëm sipas ligjit. Pyetje të cilat duket se nuk kanë gjetur përgjigje nga pala mbrojtëse e ligjit. Në përfundim gjykata ka marrë në shqyrtim dhe kërkesën tjetër të palës ankimuese atë për pezullimin e ligjit deri në përfundim të gjykimit. Gjykata, pasi ka degjuar dhe pretendimet e KRASH-it dhe meqënëse ligji ka filluar të funksionojë, ka vendosur që të rrëzojë kërkesën e pezullimit të ligjit.