Ndërtimet në Jeruzalemin Lindor ashpërsojnë marrëdhëniet SHBA-Izrael
Vazhdojnë të ashpërsohen edhe me shumë kritikat e Uashingtonit mbi vendimin e autoriteteve izraelite për ndërtimin e 1600 vendbanimeve në Jeruzalemin Lindor. Këtë herë Shtëpia e Bardhë e ka cilësuar vendimin izraelit një sfidë dhe një ofendim ndaj komunitetit ndërkombëtar. "Vendimi dhe autorizimi i 1600 ndërtimeve të vendbanimeve të reja në Jeruzalemin Lindor është një sfidë dhe ofendim ndaj komunitetit ndërkombëtar. Ai jo vetëm që është i papërshtatshëm, por minon edhe përpjekjet dhe bisedimet për paqe në rajon", deklaroi për televizionin NBC, këshilltari për politikat e Jashtme në Shtëpinë e Bardhë, David Axelrod. Perëndimi, dhe në veçanti Uashingtoni ka kritikuar ashpër vendimin e qeverisë izraelite, megjithatë, në një deklaratë të saj të mëparëshme sekretarja e Shtetit amerikan Hillari Klinton hodhi poshte tezat se marrëdheniet mes SHBA-së dhe Izraelit janë krisur.