Ndërtimet pa leje, Basha refuzon të përgjigjet
Bumi i ndërtimeve pa leje në kryeqytet, i denoncuar këto ditë edhe në disa media, duket se ka zgjuar Inspektoriatin e Ndërtimit, i cili ka ndërhyrë ditën e djeshme duke prishur vetëm njërin nga objektet e denoncuara. Ndërkohë lidhur më këtë çështje ka reaguar edhe kryetari i Bashkisë Lulzim Basha, i cili pyetjeve të gazetarëve mbi situatën e ndërtimeve pa leje i është përgjigjur se: Po të pyesnit në Bashkinë e Tiranës do të merrnit edhe përgjigjen se çfarë po bën realisht. Unë nuk kam asnjë dijeni që mediat kanë tentuar të marrin një përgjigje. Kërkoni shpjegim nga Bashkia dhe Bashkia do t’ju japë planin e plotë të masave që ne realizojmë anembanë qytetit. Shumë mirë keni bërë që e keni pasqyruar situatën e ndërtimeve pa leje. Për çdo informacion që kërkoni Bashkia e Tiranës është e hapur t’ju japë përgjigje, është përgjigjur dje kryebashkiaku Lulzim Basha, ndërsa mori pjesë në përurimin e rrugës ‘Mujo Ulqinaku’, në njësinë bashkiake numër 10, e cila është rindërtuar me fondet e Bashkisë. Ndërkohë shtesa e katit që po ndërtohej pak ditë më parë në një pallat në qendër të kryeqytetit dje nuk ishte më mbi tarracë. Por ka edhe shumë ndërtime të tjera që vazhdojnë të lulëzojnë, edhe pse pa leje pa pyetur për rregulla apo inspektoriate. Në rrugë dhe rrugica të qytetit vazhdojnë të bëhen shtesa katesh në pallate apo shtëpi private, pa marrë asnjë leje të shkruar nga Bashkia, duke u mjaftuar me pazare nën dorë dhe leje nga kryetarë partish, në këmbim të votave, duken qenë se jemi në kohë fushate.