E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtimet pa leje, nisi sot kompensimi për 700 pronarë

TIRANË- 700 pronarë që iu është zënë toka nga ndërtimet pa leje do të kompensohen financiarisht. Drejtori i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Cefa shpjegon për News24 se janë rreth 4.6 miliardë lekë të vjetra që do të vihen në dispozicion të këtyre pronarëve, në bazë të listës së miratuar nga Këshilli i Ministrave. Procesi i dorëzimit të kërkesave nga këtyre ish-pronarëve ka nisur këtë të hënë.

“Duke filluar që sot, deri në një afat të palimituar sepse vendimi i Këshillit të Ministrave procedural nuk përcakton një afat të përfundimit të këtij aplikimi, pra i njeh të drejtën këtyre subjekteve që të aplikojnë në mënyrë të vazhdueshme në kohë për të përfituar këto para janë rreth 700 pasuri që Këshilli i Ministrave ka vendosur që të shpërblehen financiarisht për shkak se këto parcela trualli janë të zëna ndërtime informale dhe janë subjekt i ligjit për legalizimin e pasurive të paluajtshme”, tha Kryetari i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pornave, Elvis Cefa.

Duke filluar nga dita e sotme, kjo kategori e ish pronarëve mund të dorëzojnë pranë agjencisë së kthimit dhe kompensimit të pronave dokumentacionin, për të përfituar kompensimin financiar.

“Ne do vazhdojmë të pranojmë të gjitha kërkesat për aplikim. Dokumentacioni i cili kërkohet në fakt është thjeshtuar në maksimum. Atyre do tu kërkohet një dokument identifikimi, një prokurë në rastin kur janë më shumë se një pronar dhe një dëshmi pronësie kur njëri prej trashëgimtarëve nuk jeton, si dhe një numër i vlefshëm llogarie, ku të bëhet shpërndarja e parave”, shtoi Cefa.

Sipas kreut të Agjencisë së Kthimit dhe kompensimit të pronave, Cefa pjesa më e madhe e ish-pronarëve që do të përfitojnë në këtë fazë janë nga Tirana.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›