E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtimet pa leje, qeveria i merr kompetencat pushtetit lokal

 

Inspektorati i Ndërtimit që varet nga qeveria do të ndërhyjë në të gjitha rastet për prishjen e objekteve pa leje që rrezikojnë jetën e qytetarëve. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë u miratuan disa ndryshimi në ligjin e Inspektoratit të Ndërtimit, amendamente që do të kalojnë me procedurë të përshpejtuar edhe në Parlament. “Japim kompetenca të plota për ndërhyrjen me emergjencë dhe krijojnë një forcë të ndërhyrjes së shpejtë pranë inspektoratit, para së gjithash dhe mbi të gjitha për të mbrojtur jetën e qytetarëve shqiptarë. Ajo që ndodhi në pallatin e Gjirokastrës, për shkak të papërgjegjësisë të autoriteteve vendore apo të tjera, mund të përsëritet në këtë vend periodikisht”, u shpreh kryeministri Berisha. Duke marrë një tjetër shembull, atë të qytetit të Durrësit, ku në një pallat afër portit ishin ndërtuar 9 kate më shumë se sa e kishte parashikuar leja e ndërtimit, kreu i ekzekutivit tha se edhe në këto raste do të ndërhyjë Inspektorati i Ndërtimit. “Ndërtimi mbi rrugë dhe mbi oborre shkollash mund të përsëritet për shkak të babëzisë. Qeveria nuk toleron më tej këtë situatë. Qeveria do të autorizojë inspektoratin për ndërhyrjet më të fuqishme, më energjike. Lëkundet pallati me 9 kate mbi leje. E sheh bashkia dhe në vend që të marrë masa për ta prishur dhe për të garantuar jetën thotë është dhe një pallat tjetër diku tjetër. Unë nuk them se nuk është, por në mënyrë absolute ndërtim që të kërcënojë këta qytetarë në mënyrën më evidente nuk do të lejohet, por do të rrafshohet. Këtu nuk do të ketë më asnjë tolerim”, u shpreh Berisha. Sipas tij: “Ka një praktikë të vendeve të tjera, të cilat me decentralizmin e inspektoratit, kanë përjetuar këtë që përjetojmë ne. Kaos dhe vetëm kaos në ndërtime. Sidoqoftë unë nuk jam që ne ti heqim kompetencat inspektoratit lokal, por jam që çështjet e sigurisë publike janë dhe do të jenë përparësi absolute e qeverisë. Ndaj dhe nuk mundet në asnjë mënyrë që të luhet më tutje, nuk mundet në mënyrë kategorike që të ndërtohen pallate mbi rrugë. Nuk është vetëm një. Ju garantoj se janë të tjera”. Sipas Berishës pas miratimit në qeveri ligji do të kalojë së shpejti edhe në parlament, çka do ti japë fuqi inspektoratit që varet nga qeveria për të ndërhyrë në të gjitha rastet kur e sheh se janë shkelur kushtet urbanistike. “Inspektorati qendror të ndërhyjë në të gjitha rastet kur shkelen kondicionet urbanistike, në të gjitha rastet kur kërcënohet siguria publike, në të gjitha rastet kur vidhet e përvetësohet toka publike, gjersa ne kemi në fuqi ligjin e vitit 1995”, tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›