Qeveria shpronëson tokën te ‘Taiwan’
ADI SHKEMBI
Qeveria merr vendim për t’ia kaluar tokën te parku Rinia Ministrisë së Punëve Publike. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave kryeministri Berisha e vlerësoi vendimin e marrë nga Këshilli Bashkia i Tiranës në kundërshtim me kompetencat e këtij institucioni. “1350 metër katror tokë siç është marrë vesh janë përvetësuar me një çmim qesharak në një kohë kur toka nuk ka qenë private, në një kohë kur toka nuk ka qenë pronë e bashkisë së Tiranës, por tokë publike, pronë e shtetit, për të cilin përgjegjëse direkte është qeveria qendrore”, u shpreh kreu i qeverisë. Berisha theksoi më tej se Agjencia e Pronave tre vjet më parë e ka nxjerrë këtë tokë si pronë publike. “Në regjistrimin e pronave që është bërë në vitin 2006, Agjencia e Pronave përcakton se kjo është një tokë publike, jo në autoritetin e Bashkisë së Tiranës. Sidoqoftë toka i kalon Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit”, u shpreh më tej kreu i ekzekutivit.
Këshilli Bashkiak
Paralelisht me kalimin e tokës në pronësi të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, kreu i qeverisë kërkoi që Këshilli Bashkiak i Tiranës, të mblidhet dhe të anulojë vendimin e dhënë pak vite më parë, ku ia kalonte tokën shoqërisë që ndërtoi Kompleksin Tajvan. “Këshilltarët duhet të mblidhen të anulojnë vendimin e paligjshëm, por kjo nuk ka të bëjë me pronësinë, vendimin e paligjshëm që ka marrë Këshilli Bashkiak para disa kohësh, në 2005 apo në një kohë tjetër, jashtë çdo lloj kompetence duke përvetësuar trojet publike”, theksoi kryeministri Berisha. Në pjesën e parë të mbledhjes së qeverisë ku ishin të pranishme mediat, kreu i ekzekutivit premtoi se qeveria do të ndërhyjë në të gjitha trojet, që janë privatizuar në mënyrë të paligjshme. “Unë garantoj qytetarët se qeveria do të ndërhyjë me vendosmëri absolute për çdo metër katror tokë publike të marrë në mënyrë të paligjshme nga cilido qoftë pavarësisht nga asnjë lloj përkatësie apo orientimi. Toka publike është tokë publike. Ka një ligj që e përcakton. Kurse në rastin konkret është marrë kompetenca e qeverisjes qendrore, çka s’mund të ndodhë kurrë përveçse nga babëzia”, u shpreh Berisha. Prej dy javësh kreu i maxhorancës i kërkoi ministrit të Punëve Publike, Sokol Olldashi të përgatisë vendimin për anulimin e shitjes së tokës në qendër të Tiranës. Ai akuzoi kreun e Bashkisë, njëherësh kryesocialistin Edi Rama për shitjen e kësaj toke në mënyrë abuzive. Sipas Berishës toka publike mund të shitet vetëm në dy raste, nëse ndërtohen banesa për lirimin e shtëpive të ish-pronarëve dhe me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave për investime të rëndësishme. “Në rastin konkret, kryebashkiaku dhe Besniku i tij me tokën që kanë përvetësuar në qendër të Tiranës kanë shkelur rëndë ligjet e vendit”, u shpreh kreu i ekzekutivit.
Shoqëria “Taiwan”: Legalizimi i tokës u bë konform ligjit
Pas vendimit të djeshëm të qeverisë për të kaluar në pronësi të Ministrisë së Punëve Publike tokën te Parku Rinia, ka reaguar shoqëria “Taiwan”, në emër të së cilës është prona. Në një deklaratë për shtyp ajo sqaron se: “Kalimi i pronës në favor të subjektit privat është kryer, duke ndjekur të gjitha hapat procedurale të parashikuara nga ligji për legalizimet dhe është miratuar në instancë të fundit me vendim pothuaj unanim të të pranishmeve në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë, ku kanë votuar pro përfaqësues të të gjitha forcave politike (Vendim i Këshillit Bashkiak nr.2 datë 17/02/2005”. Sipas saj, përveç çmimit të blerjes shoqëria “Taiwan” ka paguar edhe vlerën prej afro 550,000 USD për legalizimin si dhe ka sistemuar me fondet e veta të gjithë parkun Rinia dhe rikonstruksionin e trotuarit dhe rrugës publike përballë kompleksit duke përballuar një kosto prej mbi 1 milion USD.