E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi dekoron 37 intelektualët e vrarë nga komunistët në ‘44

 

ADI SHKEMBI

Presidenti Bamir Topi dekoron me urdhrin “Nderi i Kombit” 37 intelektualët e Tiranës të vrarë nga regjimi komunist pak ditë para çlirimit të kryeqytetit në Luftën e Dytë Botërore. Në një ceremoni të zhvilluar dje në mesditë në Presidencë, kreu i shtetit u ka dhënë Urdhrin dhe dekorimin familjarëve të intelektualëve të vrarë në 65-vjetorin e masakrës, e cila u mori jetën personaliteteve të Tiranës. “Ky vlerësim dhe nderim i lartë i Presidentit të Republikës, Bamir Topi, u bë në shenjë respekti dhe përuljeje për grupin e intelektualëve të vrarë nga terrori komunist nga 28 tetori deri më 16 nëntor 1944”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Presidencës. Motivacioni i dhënies së këtij Urdhri për 37 intelektualët e Tiranës është “të martirizuar nga terrori komunist, për shkak të besimit në idetë demokratike perëndimore të zhvillimit të Shqipërisë pas Luftës së II Botërore”. Nga ana e tyre familjarët e intelektualëve të vrarë nga regjimi në ditët e fundit të luftës kanë vlerësuar nismën e Presidentit për nderimin e 37 intelektualëve. Bahri Liku, i ati i të cilit ka qenë një nga viktimat, shprehu mirënjohjen ndaj kreut të shtetit duke theksuar: “Në emër të familjarëve përshëndesim Presidentin e Republikës për këtë vlerësim kaq të madh që po u bëhet prindërve tanë. Njëkohësisht falënderojmë shoqatën me Adem Allçin, Besim Ndregjonin dhe Drejtorin e Qendrës së Rehabilitimit të Viktimave të Torturave, zotin Kati që na ka dhënë ndihmesën për këtë punë”. Në shkurt të këtij viti, kreu i shtetit përmes një ceremonie kujtoi ngjarjen e vitit 1951, ku në ambientet e Ambasadës së Bashkimit Sovjetik në Tiranë u hodh një bombë, pas së cilës u pushkatuan 22 qytetarë. Ekzekutimi i tyre, sipas Presidentit Bamir Topi, ishte një ngjarje që tronditi jo vetëm opinionin shqiptar, por edhe atë ndërkombëtar. “Ka qenë një ngjarje e dhimbshme, ku përfaqësuesit e shtetit komunist demonstruan jo vetëm genocidin ndaj bashkëkombësve të tyre, por ishte një tregues i qartë i një servilizmi të pashoq ndaj Bashkimit Sovjetik”, theksoi kreu i shtetit.

Historia e vrasjeve makabre të periudhës 28 tetor-16 nëntor ‘44
Si u vranë 37 intelektualë në prag të çlirimit të Tiranës

Besim Ndregjoni*

Plumba kundërshtarëve! Teksa Lufta e Dytë Botërore shkonte drejt fundit dhe blloku antifashist po triumfonte, forcat komuniste shqiptare në  revanshin e luftës për çlirim, vunë para skuadrës së pushkatimit me dhjetëra intelektuale të pafajshëm vetëm se kishin studiuar në Perëndim dhe ishin antikomunistë. Enver Hoxha dhe sejmenët e tij nuk mund të pranonin t’i kishin nëpër këmbë në realitetin e ri pas kapitullimit nazifashist. Kështu vetëm në pragun e çlirimit të Tiranës, në periudhën 28 tetor-16 nëntor 44 forcat partizane që operonin në terren ekzekutuan pa gjyq plot 37 intelektualë nga më të njohurit dhe pinjollë të familjeve me emër.
Martirët
Të gjithë të pushkatuarit e vjeshtës së vitit ‘44 ishin studiues e intelektualë të njohur. Ndër ta kishte deputetë, gazetarë, inxhinierë,   profesorë, ushtarakë të lartë, avokatë etj. Në të gjitha dokumentet e kohës konfirmohet se ata para ekzekutimit ishin duke ushtruar profesionin e tyre në shërbim të shtetit dhe jo të pushtuesve si anatemoi propaganda komuniste. Mjaft syresh kishin demonstruar haptas dhe publikisht qëndrimin kundër pushtuesit, duke përkrahur lëvizjen antifashiste. Në asnjë rast apeli i tyre nuk u adresua kundër forcave komuniste, por në bashkimin e të gjitha forcave në frontin antifashist. Vrasja e tyre u organizua sipas një skenari tipik terrorist. Pushkatimet u kryen në vende të caktuara si Hotel BRISTOL, Sharrë, Tufinë, Dajt, Rruga me Pisha, Rruga e Dibrës, Shkolla e Kristoforidhit, Rruga e Kavajës etj. Në pjesën më të madhe ekzekutimet janë bërë natën dhe në orët e para të agimit. Mjaft nga martirët janë vrarë te portat e shtëpive.
Terrori
Masakra me 37 intelektualët e shquar në vigjilje të çlirimit të Tiranës, në një farë mënyre ka mbetur e dokumentuar, edhe në vetë botimet e lidershipit komunist. Diktatori Enver Hoxha, në njërën nga veprat e tij  sjell retrospektivën e terrorit të përgjakur. Ja si shkruan ai: “Më vjen Sejfulla Malishova dhe më thotë: - Shoku Enver, po vriten intelektualë të pafajshëm në Tiranë dhe ky është terrorizëm. – Unë iu përgjigja: - Ata janë borgjezë dhe me pikëpamje perëndimore, nuk i shërbejnë kauzës tonë të proletariatit dhe komunizmit. Partizanët po kryejnë detyrën! Njësitet guerile kishin mandatin e komandantëve të tyre për të kryer këto pushkatime”. Po çfarë ishte në thelb të këtij terrori? Dy ishin objektivat kryesore të tij: E para, Zhdukja e intelektualëve jo komunistë menjëherë pas mbarimit të luftës, në mënyrë që forcat komuniste ta kishin më të lehtë marrjen e pushtetit. E dyta, pushkatimi i tyre krijonte terror në popull dhe kështu fshiheshin dhe gjurmët e krimeve.
Misioni antikomunist
Me dekorimin e tyre më në fund shoqëria shqiptare po shlyen një borxh ndaj martirëve të saj. Vonesa padyshim duhet të përbëjë një ndjesë publike jo vetëm për ta, por për mbarë viktimat e diktaturës komuniste. Është ky një rast i mirë për të parë vonesën e pajustifikuar dhe dështimin e hidhur të misionit antikomunist në vendin tone. Pikërisht kjo ka sjellë një lloj indiference ndaj rënkimeve të thella të plagëve të bashkëvuajtësve tanë. Ende nuk e ndjejmë që dëgjohen përpëlitjet e shpirtrave të përvuajtur që treteshin, bjerrnin rininë dhe energjitë e tyre në zgavrat më të errëta  të burgjeve komuniste. Ne na u dha liria e fjalës, por vetëm kjo është fare pak në misionin e madh të humanizmit njerëzor dhe nderimit ndaj martirëve. Eshte koha qe gjithkush, politika, medja, shoqëria, madje dhe vet shtresa e te përndjekurve ti jap frymarrje këtij misioni fisnik qe mbi te gjitha ka te beje me nje detyrim kometar.
(Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë) 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›