Shtyhen tenderat edhe për rrugët rurale
Data 31 tetori ishte afati përfundimtar për mbylljen e procedurave të prokurimeve publike, por shumë prej institucioneve shtetërore nuk e kanë përfunduar ende këtë proces. Përballë një situate të tillë, Këshilli i Ministrave ka miratuar dje shtyrjen e afateve për rrugët rurale. Në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti nga fondet e buxhetit të shtetit janë miratuar fonde për njësitë e qeverisjes vendore, në formën e granteve konkurruese për ndërtimin dhe rikonstruksionin e rrugëve rurale. Konkretisht, meqenëse afatet për realizimin e procedurave të prokurimit publik për këto objekte prokurimi janë të pamjaftueshme, duke llogaritur afatet e publikimit të njoftimit të kontratës, kohën e detyrueshme për përgatitjen e ofertave, klasifikimin e ofertave, afatet e njoftimit të klasifikimit dhe afatet e njoftimit, qeveria miratoi shtyrjen e tyre. Nga ky afat përjashtohen organet e qeverisjes vendore, pasi ndërtimi apo rikonstruktimi i rrugëve rurale ka një rëndësi jetike për komunitetin. Këto grante bëhen pjesë e buxhetit të njësive të qeverisjes vendore dhe transferohen në vitin pasardhës.