Aksident, vdes fëmija tetë vjeç dhe shoferi 17- vjeç
GJIROKASTËR- Një aksident i rëndë dhe i pazakontë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në aksin kombëtar Tepelenë- Gjirokastër. Një automjet, që drejtohej nga një adoleshent ka dalë nga rruga, duke shkaktuar dy të vdekur dhe dy të plagosur. Mësohet se ngjarja ndodhi rreth orës 19.00 të ditës së djeshme në vendin e quajtur Mogila rreth shtatë kilometër në hyrje të qytetit të Memaliajt, ndërsa shkaqet dhe motivet mbeten ende të paqarta. Burime të policisë së Gjirokastrës bënë të ditur se automjeti tip Benz Mercedes, që drejtohej nga 17-vjeçari Xhevahir Dobraj e me të cilin udhëtonin katër fëmijë ka dalë nga rruga dhe ka rënë, duke iu marrë jetën dy udhëtarëve dhe duke plagosur dy të tjerë.
Ende nuk dihen motivet e sakta përse fëmijët, të gjithë nga fshati Iliras udhëtonin me një makinë që drejtohej nga njëri prej tyre dhe pikërisht nga adoleshenti Dobraj. Por burime të rezervuara theksojnë se automjeti i përkiste pronarit të një servisi makinash në fshatin Iliras dhe fëmijët e kanë marrë automjetin për të mbushur ujë, por ende ekspertiza nuk e ka konfirmuar një fakt të tillë. Automjeti ka udhëtuar për rreth dy kilometër, nga fshati Iliras e deri në vendin e quajtur Mogila në aksin kombëtar Tepelenë- Gjirokastër dhe nuk dihen shkaqet që e kanë detyruar drejtuesin e saj të humbasë kontrollin, duke dalë nga rruga. Goditja ka qenë fatale për dy prej udhëtarëve, pikërisht për drejtuesin e automjetit, 17 vjeçarin Xhevahir Dobraj dhe fëmijën 8-vjeçar Egli Mahmutaj, të cilët kanë gjetur vdekjen e menjëhershme, pa marrë dot ndihmën e parë mjekësore. Ndërsa dy fëmijët e tjerë kanë qenë më me fat, pasi kanë marrë vetëm disa plagë. Pas kurimit në spitalin e qytetit të Tepelenës, gjendja e tyre shëndetësore nuk paraqet rrezik për jetën. Ky është aksidenti më i rëndë i ndodhur gjatë kohëve të fundit në qarkun e Gjirokastrës e për më tepër, kur drejtimin e një automjeti e kanë marrë fëmijët.