Tërmeti shkakton panik në zonën e Korçës
KORÇË- Qyteti juglindor i vendit dhe disa zona përreth tij janë përfshirë nga paniku i një tërmeti të fuqishëm. Me qindra banorë kanë dalë në rrugë për t’i shpëtuar valës goditëse të tjera të fuqishme, ndërsa mësohet se nuk janë regjistruar dëme në njerëz, apo dhe dëme materiale, me përjashtim të disa shtëpive të vjetra të braktisura. Tërmeti i fuqishëm ka tronditur banorët e Korçës në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Sipas informacioneve zyrtare të Qendrës Sizmike, tërmeti ka rënë pikërisht në veriperëndim të këtij qyteti.Sipas përllogaritjeve të specialistëve sizmikë, epiqendra e tij ka qenë 13 kilometra larg qytetit në afërsi të zonës së Voskopojës por dhe në kufi me rrethin e Gramshit. Tërmeti me fuqi 4.5 ballë i rënë pikërisht në orën05.35’ ka pasuar me një të dytë në orën 05.40’ dhe ka detyruar që shumica e banorëve të braktisin shtëpitë e tyre dhe të dalin në rrugë. Paniku ka përfshirë qytetin e Korçës, pasi kanë qenë dy lëkundje të fuqishme tërmeti me interval kohe shumë të shkurtër nga njëri-tjetri që kanë zgjuar të tmerruar banorët të cilët e kanë parë veten jashtë nëpër rrugët dhe sheshet e qytetit për t’iu shmangur ndonjë përfshirje më të fortë nga vala goditëse. Sipas specialistit të stacionit sizmik të Korçës, Ilir Bajlozi, vala goditëse ka qenë 4.5 ballë të shkallës Rihter. Sipas Shtabit të Emergjencave Civile pranë institucionit të prefektit, që në orët e para të mëngjesit janë marrë informacione nga komunat ku ishte dhe epiqendra e tërmetit, por rezulton se nuk ka pasur dëme materiale, duke përjashtuar dëmet në njerëz. Por frika duket se për disa orë me radhë ka mbështjellë banorët e Korçës të cilët të tmerruar nga vala goditëse e lëkundjeve të tërmetit janë detyruar të linin shtëpitë e tyre për tu rikthyer të qetë pas orës 7.00.