E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’i zë kulla

Disa muaj pas koncesionimit të Aeroportit të Prishtinës, ka filluar të kompletohet Kulla e Kontrollit të Trafikut Ajror. Punëtorëve që duhet të punojnë këtu, u mungojnë hapësirat në objekt, të cilin, sipas marrëveshjes mes Qeverisë e koncesionarit, duhet ta ndërtojë Limak. Nga Express më 10 shtator 2011 në ora 08:09

Kulla e kontrollit të trafikut ajror në Aeroportin e Prishtinës duket të jetë e vogël t’u bëjë vend mbi 140 punëtorëve që kërkohet të punojnë aty.

Kjo pjesë që nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes së Qeverisë së Kosovës gjatë procesit të koncesionimit, deri më tash ka funksionuar pa asnjë shërbim administrativ. E tani kur ka filluar të kompletohet me të gjitha shërbimet, të cilat më parë i kishin të përbashkëta me Aeroportin, del se nuk ka zyra të mjaftueshme për të gjithë. Sipas marrëveshjes, në Aeroport thonë se ato duhet t`i ndërtojë koncesionari Limak.

Kryetari i Sindikatës së Trafikut Ajror, Petrit Mehmeti, pranon se një pjesë e punëtorëve nuk kanë hapësirë për punë, pavarësisht se shërbimet e tyre janë të nevojshme.

“I kanë sjellë tash 10 punëtorë si kontrollera, në administratë e shërbime tjera i kanë plotësuar vendet me disa të tjerë. E tash punëtorët po rrinë gjithkah, derisa të bëjnë zyre”, thotë Mehmeti.

Ai tregon se kontrolli ajror me kullën tash funksionon si divizion dhe se në këtë pjesë ka qenë e domosdoshme të bëhen krejt shërbimet, si në administratë, përfshirë këtu financat dhe prokurimin.

“Duhej të bëhej kompletimi i stafit, pasi të gjitha këto më parë kanë funksionuar në kuadër të pjesës së koncesionuar, që ishte e përbashkët edhe për kullën”, thotë Mehmeti.

Bekim Jashari, kryetar i bordit të kullës, mohon të ketë mbipunësim në sektorin e kontrollit ajror, por thotë se gjithçka është duke shkuar sipas planifikimeve.
Ai tregon se u është dashur një kohë e gjatë për strukturimin dhe kompletimin e stafit të kullës dhe disa projekteve tjera, në këtë pjesë e cila tani ka mbetur e shtetit.

“Në muajin maj kemi përfunduar kompletimin e personelit, administratës e departamentit të financave”, thotë Jashari.

Që atëherë, sipas tij, gjithçka po funksionon si duhet në këtë pjesë dhe se punëtorët në kullë do të marrin pagat nga të hyrat që i gjeneron ky sektor.
“Kulla e ka buxhetin e vet, nga i cili paguhen edhe punëtorët”, thotë Jashari.
Tash ai thotë se janë në fazën e projektimit të disa projekteve kapitale, për të cilat bordi ka dhënë pëlqimin.

“Është projekti i radarit, pajisjet tjera në këtë pjesë dhe kur të realizohen këto projekte, kulla do të ketë mundësinë që të derdhë mjete në buxhetin e Kosovës”, thotë ai.

Me ndryshimet e reja pas koncesionimit të Aeroportit, Departamenti i Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ANS) është përgjegjës për rregullimin, monitorimin, inspektimin, certifikimin dhe mbikëqyrjen e përgjithshme të sigurisë së Ofruesve të Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ANSP) brenda Republikës së Kosovës. Ndërkaq, Departamenti i ANS-së është përgjegjës për certifikimin dhe mbikëqyrjen e mëvonshme të sigurisë së ANSP-ve brenda Republikës së Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›