E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtohet rruga tek “Filanto”, Basha: Ky është kontrasti midis asaj që lamë pas dhe asaj që na pret

TIRANE - Me një investim prej 13,7 milionë lekësh Bashkia e Tiranës përfundoi ndërtimin e segmentit rrugor që lidh rrugën “Skënder Jareci” deri tek shinat e Trenit, në njësinë numër 9. Në këtë segment është ndërtuar sinjalistika rrugore vertikale dhe horizontale, janë ndërtuar kanalizimet e ujërave të zeza dhe të bardha, është kryer ndriçimi përgjatë gjithë segmentit rrugor, janë mbjellë 60 fidanë pemë të llojit rrap. Po ashtu, janë spostuar shtyllat e tensionit si dhe muret rrethues të shtëpive janë zëvendësuar nga kangjellat, duke sjellë një pamje të re dhe shtuar vlerën e pronës në këtë zonë.

“Me përfundimin e rrugës së “Filantos” sot, është fare i qartë kontrasti midis asaj çka nuk është bërë për 11 vite me radhë dhe asaj që ne po bëjmë brenda një kohe të shkurtër, prej më pak se dy vitesh, por po kaq i qartë është edhe ndryshimi në cilësinë e punës që është bërë “shkel e shko” në raste të caktuara por që edhe në atë përmasë “shkel e shko” nuk mbulon as një të pesëdhjetën e nevojave të kësaj lagjeje. Sot, inaugurojmë përfundimin e rrugës këtu, me të gjithë parametrat, duke përfshirë edhe rindërtimin e mureve rrethues, sipas standardit që tashmë kemi vendosur anembanë qytetit” – u shpreh Basha.

Kryebashkiaku Basha ka garantuar banorët e bllokut numër 53 që ndodhet pranë kësaj rruge, se i njëjti standard do të përdoret edhe në rrugët dhe rrugicat e tij.

“Dua t’u them banorëve të gjithë kësaj zone, të pjesës ku kemi nisur rikualifikimin e bllokut urban 53 dhe në pjesë të tjera të kësaj zone, ku do të nisim së shpejti të tjera investime të planifikuara në buxhetin e vitit 2013, që ky standard që shohim sot, do të jetë standardi me të cilin ne do të ekzekutojmë çdo projekt në këtë zonë. Kudo ku ka zhvendosje muresh, ato do të rindërtohen me projektin e Bashkisë dhe në asnjë rast investimet nuk do të lihen përgjysmë por do të çohen deri në fund, me të gjithë parametrat modernë që shikoni edhe në këtë investim. Le të jetë ky kontrasti më i qartë midis asaj që kemi lënë pas dhe asaj që na pret përpara dhe në këtë kuptim le të vlejë për një arsyetim të shëndoshë nga çdo qytetar që ka mbi të gjitha interesin e vet dhe të familjes së tij!”.

I pyetur në lidhje me ndërtimin e Xhamisë së Madhe, kreu i Bashkisë Lulzim Basha tha: “Detashmenti i PS në mediat shqiptare vazhdon të shpërndajë shpifje për këtë çështje. Kompleksi i z. Rama që për 11 vite nuk e bëri Xhaminë, vendosi të mos e bënte Xhaminë ka dalë në sipërfaqe si vaj mbi ujë. Xhamia ka marrë leje nga KKT. Bashkia e Tiranës do e mbështesë Komunitetin Mysliman në çdo fazë, që nga faza e gërmimeve, punimeve të nëndheshme, parkimit e deri tek faza e ndërtimit të Xhamisë dhe këtë nuk e fut dot në thes asnjë, me asnjë lloj shpifje. Janë shpifje totale, të marketuara, të prodhuara nga makina propagandistike e z. Rama që për 11 vjet zgjidhi të mos e ndërtojë Xhaminë dhe që lind nga paragjykimet që ky njeri ka për Komunitetin Mysliman por jo vetëm”.

(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›