Ndërtuan pa leje, kërkojnë shpronësim me vlerën e tregut

Pasi zaptuan me forcë tokat ku ngritën edhe shtëpitë e tyre, tani do të shpronësohen nga shteti.
TIRANË - Banorët që jetojnë përreth gjurmës ku do të ndërtohet mbikalimi i Shkozetit në Durrës mund ta konsiderojnë veten me fat.
Pasi zaptuan me forcë tokat ku ngritën edhe shtëpitë e tyre, të cilat i kanë futur në proces legalizimi, tashmë ata presin që të marrin një dorë të mirë parash nga shteti, i cili ka parashikuar t'i shpronësojë kundrejt vlerave të tregut për të gjitha ndërtesat, që do të prishen si dhe tokën që do të përdoret për ndërtimin e këtij mbikalimi.
Por, absurdi nuk mjafton me kaq pasi pikërisht ky proces shpronësimi duket se është bërë pengesë dhe ka bllokuar punën në terren për zbatimin e projektit për ndërtimin e kësaj vepre, që parashikohet të përmirësojë trafikun në qendrën bregdetare.
Ka qenë përfaqësuesi i Ministrisë së Transporteve, Luan Deraj, ai që ka pohuar dje gjatë diskutimit në Komisionin e Ligjeve të projektligjit që bënë ratifikimin e marrëveshjes së huas së marrë nga qeveria shqiptare për ndërtimin e këtij mbikalimi, se puna në terren për zbatimin e projektit është bërë pikërisht procesi i shpronësimit të familjeve që kanë ndërtuar pa leje në këtë zonë.
"Në dhjetor të vitit 2009 është bërë aprovimi i shpronësimit për të gjitha pikat e tjera, kurse për sa i përket procesit të shpronësimit të godinave është ngritur një komision nga ministria e transporteve, por pritet që të mbarojë legalizimi i këtyre ndërtimeve dhe pastaj të llogarisim vlerën e shpronësimit.
Duhet të dimë që shumica e ndërtimeve që preken nga ndërtimi i këtij mbikalimi janë informale", - tha përfaqësuesi i Ministrisë së Transporteve, Luan Deraj, gjatë prezantimit të kësaj marrëveshje me Fondin Saudit për Zhvillim.
Natyrisht fitimet për këto familje pritet të jenë të majme, pasi shpronësimi për pasuritë e tyre të krijuar në mënyrë ilegale, duke zënë tokat e të tjerëve, do të bëhet me termat e vlerave të tregut. Ndërkohë, projekti
që përmban projektligji në fjalë është pjesë e projektit të mbikalimit të Durrësit, ku mbikalimi i Shkozetit përbën fazën e dytë të tij. Mbikalimi i Shkozetit ka si gjatësi të përgjithshme rreth 320 metra dhe do të ketë katër kalime dhe një kosto ndërtimi 4.5 milionë euro.
Ai do të ndërtohet në kryqëzimin e Shkozetit në kilometrin e 0.9 duke mbi kaluar segmentin rrugor urban dhe duke bërë të mundur aksesin linear të trafikut të mbikalimit të Durrësit.
Gjithashtu ky projekt përfshinë edhe ndërtimin e një kolektori drenimi të ujërave i cili do të ketë një vlerë me 3.9 milionë euro. Në total për këtë projekt qeveria ka marrë një kredi të zbutur prej real sauditë të baras vlefshëm me 8.3 milionë euro.