Socialistët europianë: Mbështesim kauzën e opozitës për zgjedhjet
Në deklaratën përfundimtare të Partisë Socialiste Europiane thuhet se qeveria duhet të gjejë zgjidhje
TIRANË- Partia Socialiste ka gjetur mbështetjen e homologëve të saj europianë në betejën që po bënë për transparencën e votës dhe shpëtimin e demokracisë në Shqipëri.
Ashtu si Internacionalja Socialiste gati një muaj më parë edhe Partia e Socialistëve Europianë (socialistët dhe socialdemokratët e vendeve të BE-së) ka mirëkuptuar kërkesat e socialistëve shqiptarë për të hetuar zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit duke i kërkuar në të njëjtën kohë qeverisë shqiptare që të angazhohet seriozisht në plotësimin e tyre.
Kështu në vijim të vizitës, që delegacioni i lartë i PSSH-së i drejtuar nga kreu i saj Edi Rama po zhvillon në Pragë të Çekisë, ku po mban punimet Kongresi i 8-të i PSE-së, PS-ja ka mundur të sigurojë mbështetjen e duhur politike nga socialistët e BE-së për ti shkuar deri në fund betejës për transparencën e zgjedhjeve. Në takimin e posaçëm, që Kongresi i PES-së zhvilloi për çështjet e Ballkanit, u propozua edhe një qëndrim i kësaj partie mbi zhvillimet politike në Shqipëri, ku midis të tjerave shprehet edhe shqetësimi lidhur me situatën e demokracisë në vendin tonë.
"Partia e Socialistëve Europianë shpreh shqetësim të thellë në raport me krizën e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës me të cilën përballet Shqipëria. Në Shqipëri demokracia duhet të rivendoset dhe kërkesat e Partisë Socialiste të Shqipërisë në lidhje me të gjitha shkeljet dhe parregullsitë gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit duhet të mbështeten", - thuhet në këtë qëndrim të miratuar më pas nga të gjithë anëtarët e tryezës. Kongresi i PES-së i bën thirrje Kryeministrit të Shqipërisë dhe Koalicionit Qeverisës të respektojnë liritë dhe të drejtat kushtetuese, duke garantuar transparencë të plotë të zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit, përmes një hetimi parlamentar, që plotëson të gjitha kërkesat legjitime të Partisë Socialiste të Shqipërisë.
"Kongresi i PES-së i bën thirrje Kryeministrit të Shqipërisë dhe Koalicionit Qeverisës të gjejnë një zgjidhje, e cila do t'i jepte fund krizës politike dhe do të mundësonte kthimin e Partisë Socialiste në Parlament", - thuhet më tej në këtë deklaratë. Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste, Luis Ayala, gjatë një interviste lidhur me krizën politike në Shqipëri u shpreh se të gjitha zhvillimet aktuale në vendin tonë kanë ardhur si pasojë e problemeve, që shoqëruan zgjedhjet e 28 qershorit.
"E kemi ndjekur me një shqetësim të madh të gjithë atë që erdhi si pasojë e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe ndjemë një deficit të madh të sistemit politik dhe demokratik në vendin tuaj dhe një mungesë totale të përgjegjësisë për të akomoduar kërkesat e drejta të Partisë Socialiste", - tha Ayala.
Si zgjidhje të kësaj situate ai propozon që "qeveria dhe koalicioni aktual t'u përgjigjen kërkesave të Partisë Socialiste". Ndërkohë gjatë ditës së djeshme është shtruar edhe një drekë pune ku kanë marrë pjesë edhe dy delegacionet shqiptare ai i PS-së dhe ai i LSI-së i kryesuar nga Ilir Meta, në të cilën ky i fundit pretendon se ka ndodhur dhe një incident i papëlqyeshëm.
Duke folur për mediat, Meta ka deklaruar se gjatë fjalës së tij mbajtur në këtë drekë, kreu socialist Edi Rama është ngritur nga tavolina dhe është larguar në mënyrë demonstrative, gjë që hidhet poshtë si trillim nga ana e përfaqësuesve socialistë të pranishëm në këtë tryezë.
Gjithashtu, gjatë ditës së djeshme delegacioni socialist ka zhvilluar edhe një sërë takimesh me drejtuesit më të lartë të PSE-së, si dhe me sekretarin e përgjithshëm të Internacionales Socialiste Luis Ayala. Kreu socialist Edi Rama ka mbajtur edhe një fjalim para tryezës së zhvilluar për Ballkanin ku ka parashtruar problematikat, që shqetësojnë sot opozitën shqiptare.