E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers: Politika, larg duart nga gjyqësori

Korrupsioni, ndërhyrja e politikës në gjyqësor dhe liria e medias janë problemet kryesore që radhiti dje Ambasadori Uidhers

TIRANË - Korrupsioni, ndërhyrja e politikës në gjyqësor dhe liria e medias janë tre problemet më serioze, me të cilat vijon të përballet ende demokracia shqiptare.


Ky është konstatimi që ka bërë dje përfaqësuesi më i lartë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Xhon Uidhers, dhe që siç paralajmëroi ai do të jenë pjesë e raportit vjetor që Departamenti Amerikan i Shtetit do t'i çojë Kongresit lidhur me situatën e të drejtave dhe lirive të njeriut në vendin tonë përgjatë vitit 2009-të.


I pranishëm në konferencën mbi të Drejtat e Njeriut që është organizuar dje në Tiranë në kuadër të 61-vjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, ambasadori amerikan në vendin tonë ka folur pa "dorashka", duke adresuar në mënyrë të drejtpërdrejtë një sërë problematikash, që kanë të bëjnë me mënyrën e funksionimit të demokracisë në vendin tonë.


Deklarata


Duke iu referuar pikërisht raportit të një viti më parë të DASH, diplomati amerikan ka vlerësuar se sërish një sërë problemesh që evidentoheshin në të, pritet që të jenë edhe në dokumentin e ardhshëm që do të hartojë ky institucion për Shqipërinë.


Madje, Uidhers ka paralajmëruar se me porosi të posaçme të Presidentit Barak Obama raporti i radhës i Departamentit Amerikan të Shtetit do të jetë edhe më ashpër për shkak se do të jetë më i drejtpërdrejtë. "Raporti i fundit rreshtoi një sërë problemesh që në Shqipëri ende duhen adresuar.


Për herë të parë, administrata Obama ka nxitur që raporti i të drejtave të njeriut të adresojë dhe analizojë gjendjen e korrupsionit kudo në botë, në një mënyrë të cilën ne nuk e kemi bërë më parë", - tha Uidhers.


Pikërisht në funksion të këtij raporti ai ka rreshtuar, (siç e ka quajtur ai "një listë jo të plotë") disa shembuj të problemeve, që vazhdojnë të shqetësojnë SHBA-të, ku korrupsioni mban sërish vendin e parë.


Pa folur për raste konkrete, ambasadori amerikan tha se korrupsioni është një nga fenomenet më negative që vijon të jetë i pranishëm në shoqërinë shqiptare. "Kam thënë në raste të ndryshme, ashtu si kolegët e mi Ambasadorë, që korrupsioni mbetet një nga problemet më serioze, me të cilin Shqipëria ndeshet në çdo nivel të shoqërisë së saj", - theksoi Uidhers.


Gjyqësori, evidentoi ambasadori, mbetet një nga fushat më të dobëta, ku ndikimi i politikës luan një rol negativ, për sa i përket vendimmarrjeve profesionale.
Për të ilustruar situatën në të cilën ndodhet gjyqësori dhe ndërhyrjen e politikës në të, ambasadori amerikan ka sjellë si shembull pikërisht çështjen "Gërdeci", ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë.


"Një tjetër element, një tjetër çështje të cilës ju mund të doni t'i kushtoni vëmendje, është pavarësia e institucioneve demokratike, veçanërisht e gjyqësorit. Ndërhyrja politike, si ajo në gjykimin e çështjes së Gërdecit, është një lloj ndërhyrjeje që ne shpresojmë të mos bëhet e zakonshme në Shqipëri", - u shpreh diplomati amerikan.


Media


Një tjetër çështje, ku vihet re sërish cenimi i lirive dhe të drejtave në demokracinë shqiptare, është edhe media.


Uidhers përmendi rastin e dhunimit të gazetarit Mero Baze, si rastin më flagrant që tregon se në Shqipëri klasa politike ka ende për të bërë në garantimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut, siç është edhe ajo e shprehjes.


Përveç këtyre shtyllave kryesore, raporti i DASH-it pritet të përfshijë edhe çështjen e trafikimit të qenieve njerëzore, dhunën në familje, apo të drejtat e pakicave etnike.


Pjesë e listës së problemeve të evidentuara nga numri një i ambasadës së SHBA-ve në Tiranë kanë qenë edhe të drejtat e homoseksualëve në Shqipëri, duke përgëzuar në të njëjtën kohë nismën për hartimin e një ligji për këtë çështje.


Sipas Uidhers, disa të drejta njerëzore të caktuara janë universale dhe dhunimi i tyre nuk mund të justifikohet duke ia veshur ato traditës, historisë apo rrethanave, një konstatim ky që i përshtatet më së miri situatës aktuale në vendin tonë, ku pushteti po akuzon dhe sulmon opozitën dhe bizneset private, duke prekur jo vetëm aktivitetet, por edhe familjet e tyre. "Le të jemi të qartë, Deklarata në mënyrë të pagabueshme, dënon dhunimin e të drejtave të njeriut, në çfarëdo rrethanë", - tha Uidhers.


Ftesa e Berishës nuk duket aq serioze teksa vazhdon të sulmojë protestën e kryebashkiakëve

Berisha: Bode e Basha do të negociojnë me vendorët


TIRANË - Kryeministri Sali Berisha duket se është tërhequr përballë kërkesave të bashkive të vendit për shtimin e fondeve në buxhetet e tyre dhe decentralizimin e pushtetit vendor. Vetëm pak ditë pas protestave të kryetarëve të bashkive në vend, Kryeministri Berisha ka pranuar të shqyrtojë kërkesat e tyre.


Gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, lideri i mazhorancës theksoi se do të organizohet një tryezë, e cila do të ulë në bisedime kryetarët e bashkive të Shqipërisë me ministrin e Financave, Ridvan Bode, dhe ministrin e Brendshëm, Lulëzim Basha, për të shqyrtuar kërkesat, që vendorët kanë parashtruar në protestën e tyre.


Duke iu referuar kërkesës themelore të kryebashkiakëve, që kërkojnë shtimin e fondeve në buxhetin e bashkive që ata drejtojnë, Kryeministri Berisha vuri në dukje se buxhetit të pushtetit vendor do t'i kompensohet çdo qindarkë e munguar. Ky fond kompensimi, sipas Berishës, do të sigurohet nga buxheti i shtetit.


Për këtë arsye, sipas Berishës, qeveria që ai drejton është e vendosur që të rrisë investimet për pushtetin vendor. "Zoti Bode dhe zoti Basha, ju do të organizoni një tryezë të rrumbullakët me shoqatat e bashkive e komunave. Le të jetë një mbledhje e zgjeruar. Le t'u dërgohen edhe ftesa individuale.


Ata le të paraqesin dokumente të qarta, ose të ketë marrëveshje që mbi bazën e dokumenteve të qarta dhe të ligjit për politikën e deklaruar për të cilën kjo qeveri është votuar, atyre do t'u kompensohet qindarkë për qindarkë humbja. Ne nuk mund të kemi asnjë lloj qëllimi tjetër përveç investimeve të mëdha në të gjitha komunat e bashkitë e vendit", - tha dje Berisha.


Megjithatë, ftesa e kryeministrit Berisha për organizimin e një tryeze nuk duket aq serioze, teksa ndër të tjera u shpreh se protesta e kryebashkiakëve nuk kishte të bënte me interesat e qytetarëve, por vetëm me ato të aleancës së majtë.


"Një protestë e atyre që kanë pasur nga kjo qeveri 3-4 herë financime më të mëdha se sa më parë, të ngjall keqardhje, kur sheh partnerë që protestojnë për atë që s'ka asgjë të përbashkët me interesat e qytetarëve të tyre, por vetëm në funksion të aleancës", - nënvizoi ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›