E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria: Mafiozët, jo më transferim pasurie

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se "lufta kundër mafies është një detyrim madhor ndaj qytetarëve shqiptarë, ndaj partnerëve dhe ndaj projektit të madh të kombit tonë për integrim në Bashkimin Europian". Ne, vijoi ai, jemi të vendosur të intensifikojmë këtë betejë dhe jemi të sigurt se do ta fitojmë atë. Deklaratën Kryeministri e dha gjatë përshëndetjes që i bëri dje punimeve të konferencës rajonale dyditore me temë "Forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë për një anëtarësim të shpejtë të Europës Juglindore në BE", e organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Berisha u shpreh se lufta kundër krimit dhe organizatave kriminale ka qenë dhe vazhdon të jetë përparësi madhore për qeverinë, ndaj dhe pas ardhjes në pushtet, në vitin 2005, qeveria i shpalli atyre luftë me zero tolerancë. "Lufta jonë me zero tolerancë kundër bandave, disa prej të cilave më të rrezikshmet në Ballkan dhe më gjerë, dëshmoi se në prani të vullnetit të hekurt politik, në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë, ato nuk mund t‘i rezistojnë ligjit", u shpreh Kryeministri. Gjithashtu, ai vlerësoi se çështja e sigurisë nuk kërkon zgjidhje vetëm në plan kombëtar, por duhen zgjidhje edhe në plan rajonal. "Për këtë arsye, kërkohet përkushtim dhe angazhim i madh e i vazhdueshëm rajonal e ndërkombëtar, në mënyrë që kjo çështje të marrë përgjigjen më të mirë dhe të garantojë sigurinë më të lartë", u shpreh Berisha. Më tej, ai insistoi se në Shqipëri u shemb muri i krimit të organizuar, por sërish ka probleme serioze me mafien. Duke iu referuar bashkëpunimit rajonal, Kryeministri u shpreh se duhet të kemi edhe ligje të njëjta kundër mafies, në mënyrë që mafiozët e goditur në Itali të mos mund të bëjnë transferta të pasurive të tyre në Shqipëri apo në vende të tjera. Krahas përfaqësuesve të Parlamentit Europian, Parlamentit të Austrisë, Greqisë, Italisë dhe Turqisë, në këtë konferencë ishin të pranishëm delegacione nga Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania dhe Serbia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›