E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtuesit: Ok me parimin e pranimit të heshtur

Shoqata e Ndërtueseve ka njoftuar se sapo ka marrë në dorë draftin përfundimtar të projektligjit për “Planifikimin e Territorit” për të cilën shprehet se është përfshirë parimi i pranimit të heshtur. 

TIRANË – Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë sapo ka marrë në dorë draftin e fundit në lidhje me projektligjin “Për Planifikimin e Territorit”. Në një deklaratë të sotme kjo shoqatë bën të ditur se ka ndjekur hap pas hapi hartimin e këtij projektligji duke shtuar se ka paraqitur edhe vërejtjet apo propozimet e saj pranë organeve përkatëse. “Ne sapo kemi marrë në dorë draftin e fundit dhe po e shqyrtojmë me kujdes atë për të parë reflektimin e propozimeve tona. Nga praktika e deritanishme kemi parë që variantet përfundimtare ndryshojnë në elemente thelbësore duke ndryshuar të gjithë konceptin e projekteve fillestare. Megjithatë në vështrim të parë ne vërejmë se parimi i pranimit të heshtur i kërkuar me forcë nga ne, ka gjetur pasqyrim në këtë projekt dhe mendojmë se ky parim do të detyrojë administratën të respektojë afatet ligjore dhe të kthejnë përgjigje për praktikat brenda limiteve ligjore”, tha nëndrejtori i Shoqatës së Ndërtuesve, Ilir Hebovija.
Më tej ai shton se shoqata e ndërtuesve nuk dëshiron që parimi i pranimit të heshtur të jetë parimi bazë i ligjit por sipas tyre ky parim duhet të shërbejë si nxitje për vënien në lëvizje të administratës së pushtetit vendor.
Në përfundim të deklaratës së sotme Shoqata e Ndërtuesve bën të ditur se shumë shpejt do të paraqesë edhe propozimet e saj në lidhje me draftin që është tashmë në duart e grupeve të interesit.
(a.s/Balkanweb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›