Burgu i sigurimit, ferri i klerikëve
SHKODER- Në vitet '45-'46, qyteti i Shkodrës kishte 13 burgje, megjithatë njëri prej tyre kujtohet si "burgu i torturave". Brenda mureve të ftohta të tij kanë vuajtur qindra shkodranë, intelektualë dhe klerikë të njohur të asaj kohe. Disa prej tyre kanë vdekur nga torturat e përbindshme të komunistëve, ndërsa të tjerë kanë vazhduar tërë jetën të kujtojnë tmerrin që kanë përjetuar në burgun famëkeq të Shkodrës. Edhe pse kanë kaluar dekada, historia nuk harron, dhimbja nuk harrohet. Janë pikërisht ata që kanë vuajtur në këtë burg, të cilët kërkojnë që godina e ish-burgut të kthehet në muze, që të mos harrohet ajo tragjedi, që të mos përsëritet më ai tmerr. Ndonëse ish-të persekutuarve u është premtuar se do të plotësohet kërkesa e tyre, deri tani nuk është bërë asgjë konkrete. Qeveria shqiptare, dhe përkatësisht Ministria e Kulturës, kanë lënë në harresë të plotë projektin për kthimin në muze të ish-burgut apo hetuesisë, në ish-Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës. Ka katër vjet që është hedhur ideja. Rreth 2 vjet më parë, Ministria e Kulturës miratoi projektin e paraqitur nga Bashkia e Shkodrës për rikonstruksionin e ambienteve të ish-burgut komunist, të cilat ndodhen të amortizuara, ngjitur me ndërtesën e ish-Degës së Brendshme në Shkodër.
PROJEKTI
Objekti që dëshmon ferrin e torturave të bëra nga regjimi më i egër komunist në Ballkan iu është kthyer pronarëve të mëparshëm dhe konkretisht, Kolegjit Serafik të Provincës Françeskane Shqiptare. Ambientet e ish-burgut dhe selisë së sigurimit që ndodhen në të majtë të ndërtesës janë ruajtur të paprekura nga pronarët (Kisha Françeskane) dhe i janë vënë në dispozicion Bashkisë Shkodër, duke shfaqur miratimin për kthimin e këtyre ambienteve në një objekt muzeal. Ndonëse Ministria e Kulturës, në kohën që drejtohej nga Bujar Leskaj e miratoi projektin dhe dha një fond prej 7 milionë lekësh për rikonstruksionin e këtyre ambienteve, të cilat janë dëmtuar së tepërmi, asgjë nuk është bërë dhe ndryshimi i kreut të kësaj ministrie ka bërë që gjithçka të mbetet ashtu siç është, dhe madje të shkojë drejt degradimit të mëtejshëm. Sipas ish-të persekutuarve shkodranë, interesimi i drejtuesve vendorë të Shkodrës dhe atyre të provincës françeskane për kthimin e ish-burgut dhe ish-mjediseve që përdorte sigurimi i shtetit në një objekt muzeal, nuk ka munguar, por indiferenca e institucioneve në Tiranë ka bërë që kjo të mos ndodhë akoma. Në projekt është parashikuar që kati i parë të restaurohet dhe të kthehet në gjendjen e mëparshme siç ka qenë dhe të lihet ashtu, ndërsa kati i dytë të shërbejë si muzeum me objekte të atyre që vdiqën e vuajtën në tortura. Burgu ku torturoheshin deri dhe në vdekje të gjithë ato që akuzoheshin se ishin "tradhtarë të atdheut", se donin të arratiseshin apo ishin të pakënaqur nga regjimi, ndodhet aty si një dëshmi e gjallë e atij persekutimi të pashoq. Është një e drejtë e gjithë atyre të mbijetuarve, por dhe e trashëgimtarëve të atyre që vdiqën në tortura në këtë burg, që ai të shërbejë si muze. Ahmet Bushati, një ndër iniciatorët për kthimin e ish-burgut të sigurimit në qendër muzeale, shprehet se "është thënë e provuar se një popull pa kujtesë historike është i destinuar të përsërisë të kaluarën e tij dhe këtë e provon çdo ditë jeta jonë politike e shoqërore". Sipas Bushatit, nuk do të ketë bashkim të sinqertë mes popullit tonë dhe nuk do të rifitohen vlerat e humbura, pa u ndërgjegjësuar të gjithë për krimet e komunizmit. "Të mos nxjerrësh në dritë të vërtetat tona historike, memorien e tragjedisë komuniste, do të thotë t'i mohosh popullit identitetin që ka. Madje dhe një nga rekomandimet e BE-së është ndërgjegjësimi kombëtar mbi krimet e shkaktuara në emër të ideologjisë", - thotë Ahmet Bushati.
BURGU
Në dy vitet e para pas çlirimit të vendit, në Shkodër numëroheshin 13 burgje. Të gjithë ata që përfundonin në qelitë e këtyre burgjeve "kalonin" tek burgu ish-degës së brendshme. Ende dhe sot e kësaj dite, në muret e mbetura të këtij burgu ruhen "gjurmët" e lëna nga ish-klerikët dhe intelektualët më në zë të Shkodrës, të cilët nuk iu nënshtruan regjimit komunist. Në birucat e burgut të ish-degës së brendshme ka provuar torturat dhe vëllai i Arshi Pipës, Myzaferi. Burgu vazhdon të ruajë dhe të tregojë në heshtje kujtimin e dhimbshëm të shumë e shumë dramave tragjike të ndodhura brenda tij. Ai është një relikë me vlera të pallogaritshme historie e dokumentimi, që çdo vizitori do i fliste dhe pa ndihmën e një ciceroni.
DITARI
Një nga të persekutuarit shkodranë që arriti të mbijetonte, Ahmet Bushati, në librin e tij "Në gjurmët e një ditari", përshkruan burgun e sigurimit në Shkodër që ndodhej pas ndërtesës së sigurimit, në fund të një oborri të madh, në të djathtë të tij në qoshe. "Aty u zgjaste një godinë përdhese, me hymje pa portë në qendër të saj me do dritare nalt nën çati. Hymja prej tre katër metër gjatësi ndante burgun majtas e djathtas në dy koridore, ku secili prej tyre u zgjaste me nga shtatë dyer birucash të vendosura simetrikisht përballë njena-tjetrës. I ndodhun vetëm në një qeli të tillë, nis e heton menjëherë me kureshtje mjedisin aty, sadoqë shumë i vogël e i mbyllun, tue kërkue me gjetë ndonjë gjurmë jete të pararendësve të tij. Kështu, mue ma të parit do të më bante përshtypje pamja rranxë murit e nja tre a katër të shkulna flokësh njeriu. Heshtja e thellë që sundonte në atë burg, mungesa e një za njeriu e nji çfarëdo sheji jete, të fuste ndër mendime nga më të dyshimtat… Gjatë dy javëve të para si ushqim do të më jepshin vetëm një cope bukë të zezë në vakt, shoqnue me një safe të madhe uji të akullt. Duart vazhdimisht në pranga të shtërngueme fort. Për të fjetë, fjetsha ashtu siç isha me rrobat e shtatit, i mbledhun grusht aty mbi çimento e tue u dridhë papushim prej të ftoftit".
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)