E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtuesit kërkuan sot angazhimin e qeverisë për rritjen e likuiditetit

Sektori i ndërtimit është një ndër sektorët që ka njohur zhvillimin më të madh në ekonominë shqiptare, por sot sipas ndërtuesve, ky sektor po vuan mungesën e likuiditetit. Në kuadër të ditës Botërore të Ndërtimit, Shoqata e Ndërtuesve (SHNSH) i bëri apel qeverisë për përcaktimin e një strategjie sa më të qartë për zhvillimin e këtij sektori, por edhe forcimin e kontrollit publik mbi bankat, me qëllim që ato të vazhdojnë të zbatojnë si duhet misionin e tyre të financimit të ekonomisë. "Sektori i ndërtimit dhe tregu imobiliar po ballafaqohen me probleme e vështirësi të ndjeshme, ku për shkak të rënies së kërkesës konsumatore vihet re një rënie e theksuar e shitjeve. Sipas të dhënave, është më i madh se 4 mijë numri i banesave të ndërtuara që akoma janë të pa-shitura", deklaroi Maks Muçi, Kryetar i SHNSH-së, gjatë një konference sot në Hotel Tirana International. Muçi shprehu shqetësimin se sektori i ndërtimit dhe kompanitë që ushtrojnë veprimtari në këtë sektor, janë me të prekurat nga pasojat e krizës financiare. "Mjafton të përmendim këtu për shembull vetëm faktin se gjatë vitit 2008 në ndërtim nuk kanë kryer asnjë lekë xhiro (pra nuk kanë punuar fare) mbi 700 shoqëri ndërtimi nga 2500 shoqëri ndërtimi të regjistruara në shkallë vendi", theksoi ai. Një armatë e tërë kompanish ndërtimi është krijuar, sidomos 10 vjeçarin e fundit, në përgjigje të nevojave të mëdha për ndërtime në vend. Ato janë pajisur me teknologjitë më të mira të kohës, kanë mobilizuar burime të shumta financiare të lira në duart e popullatës dhe kanë punësuar një numër të madh fuqie punëtore. Këto shoqëri ushtrojnë një aktivitet të fuqishëm, i cili për nga volumi i qarkullimit që realizojnë arrin në rreth 1.5 miliardë euro në vit. Në fund të vitit 2008, në sektorin e ndërtimit ushtronin veprimtarinë e tyre rreth 2500 shoqëri ndërtimi gjithsej, nga të cilat mbi 1000 shoqëri vetëm në Tiranë. Sipas burimeve të Shoqatës së ndërtuesve, aktualisht, një numër i konsiderueshëm i shoqërive të armatës së madhe të ndërtimit është konsoliduar, duke marrë pësipër vepra të mëdha infrastrukturore.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›