E Diel, 1 Nëntor 2026

ISKSH: Të dhënat për regjistrimin e pacientëve priten të jenë gati deri në fund të vitit

Të dhënat e mbledhura dhe të përpunuara nga depistimi (regjistrimi) i popullatës pritet të jenë gati në fund të vitit, ndërsa aktualisht procesi ka përfunduar në rreth 80 % të qendrave shëndetësore në vend. Ky depistim, i pari në rang kombëtar që pas viteve ’90, do t’i shërbejë Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për të evidentuar saktë sëmundshmërinë dhe për shpërndarjen e pagave, në bazë të numrit të banorëve që mbulon një mjek. "Me anë të këtij depistimi ne nxjerrim numrin e banorëve, statusin e tyre, që do të thotë i siguruar, apo jo, sëmundshmërinë dhe situatën (është rezident ky banor apo jo)", tha sot Naun Sinani, zv.drejtor i ISKSH-së. Por, sipas Sinanit, ky proces pritet të shërbejë gjithashtu dhe për orientimin e pacientëve tek mjeku i familjes. "Banorët, duke ditur ekzaktësisht se nga kush mjek i familjes mbulohen, dhe, duke pasur një depistim të përgjithshëm, e kanë më të lehtë të gjejnë mjekun e familjes, pra të përzgjedhin vetë mjekun e familjes", theksoi ai. Në të 414 qendrat shëndetësore në vend, të kontraktuara nga ISKSH-ja, operojnë 1600 mjekë të familjes, të cilët po kryejnë dhe regjistrimin e  pacientëve të tyre.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›