E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtuesit kërkuan sot plan antikrizë për rigjallërimin e këtij sektori

Shoqata e ndërtuesve kërkoi sot ndërmarrjen e një plani antikrizë për të ndihmuar sektorin e ndërtimit. Drejtori i kësaj shoqate, Maksi Muçi, gjatë një konference për shtyp, tha se në sektorin e ndërtimit gjatë vitit 2008 një numër i madh shoqërish ndërtimi në shkallë vendi nuk kanë kryer asnjë lekë xhiro, ndërkohë që numri i apartamenteve të pashitura është mbi 4 mijë, pa llogaritur këtu dhe mijëra metra katror ambiente tregtare të pa shitura. "Aktualisht ndërtimi po vuan mungesën e likuiditeteve dhe të financimeve, për shkak të rënies së kreditimit bankar të ekonomisë dhe rënies së remitancave të emigranteve, si burim i rëndësishem financimi për tregun shqiptar të ndërtimit", deklaroi Muça. Përballë një realiteti të tillë shqetësues, tha Muça, Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërise i kërkon qeverisë të vleresojë drejt dhe në mënyre realiste situatën dhe mbi këtë bazë të përcaktojë një strategji të qartë e një plan të detajuar anti-krizë, ndërsa shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe për të ofruar kontributin e saj për përgatitjen e këtij plani. Duke renditur disa nga masat që mund të ndërmarrë qeveria, Muça përmendi nxitjen e rritjes së konsumit, nëpërmjet gjallërimit të kredive të buta për shtresat në nevojë për strehim, ndërsa vlerësoi nismën e qeverisë për subvencionimin e interesave të kredive për të pastrehët. Ndërtuesit kërkuan gjithashtu uljen e normës së TVSH-së. "Ka ardhur koha të bëhet diferencimi i TVSH-së, duke e ulur atë për mallrat jetike të konsumit të gjerë e ndërtimin dhe duke e rritur për mallrat e luksit, për mallrat që dëmtojnë shëndetin dhe ndotin ambientin", theksoi Muça. Ata kërkuan edhe marrjen e masave prioritare nga qeveria për përshpejtimin e punës për miratimin e ligjit për planifikimin urban dhe miratimin e planeve rregulluese të qyteteve të mëdha, të cilët realisht janë berë pengesë për zhvillimin e ndërtimit në terësi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›