Ndeshja Topi-Berisha, sporti politik i të gjithëve
Nëse ka një temë të aktualitetit së cilës nuk mund ti shpëtosh dot më në Shqipëri, ajo është ndeshja Topi-Berisha, tanimë sport politik i të gjithëve në arenën publike. Jo edhe aq yni si spektatorë të politikës, sa i vetë lojtarëve politikë në vend. Është në radhë të parë sporti i maxhorancës dhe Berishës, por është zbuluar edhe si sporti i ri i preferuar i opozitës dhe Ramës, ndërsa lojtar në mesfushë ka dalë vetë Presidenti në detyrë, Topi dhe ekipi i tij në hije.
Të gjithë duken të interesuar dhe të kalkuluar që ndeshje të ketë. Llogaritë me sa duket i dalin secilit në favor. I dalin habitshëm në favor vetë Berishës dhe maxhorancës qeverisëse, që nuk lë rast pa e luajtur kartën e konfliktit me Topin, aq sa deviza e re politike e saj duket sikur është: ti biem Topit. Nga ana tjetër, që opozita dhe Rama ta shohin me oreks të hapur këtë pëlcitje kokoshkash, kjo nuk duket të jetë e vështirë për tu besuar. Llogaritë elektorale me zbritje nga e djathta u dalin sigurisht, veçse me rritje nga e majta. Mirëpo për befasinë e atyre që nuk e dinin të aftë për pasionatën politike ish-nënkryetarin e Partisë Demokratikë dhe Presidentin aktual Bamir Topi, edhe ai duket po kaq i përfshirë, edhe pse për të thënë të vërtetën jo aq me akuza, sa me kundërakuza. Sigurisht, edhe një konfliktualitet i kësaj natyre nuk është sport për figura mbi palët, siç është Presidenti i Republikës. Kjo përfshirje me batuta të angazhuara nxjerr hapur kalkulimet personale të Presidentit për të grumbulluar sa më shumë pikë në llogarinë e çelur rishtas si kryetar partie në krijim e sipër.
Edhe pse si situatë është e re, ndeshja Topi-Berisha është plot me déjà-vu nga pikëpamja e zgjidhjeve të komunikimit politik që bëjnë subjektet politike në Shqipëri. Rruga e zgjedhur nga Topi për të lançuar subjektin e tij politik, nuk është aspak e ndryshme nga ajo e Metës dhe madje ngjan shumë edhe me metodën e Ramës ndaj Berishës. Njëlloj si Meta përballë Nanos dhe pastaj Ramës, zgjedh të dëmtojë të djathtën, gjithë duke deklaruar se ai është e djathta e vërtetë. Njëlloj si Rama përballë Berishës zgjedh të pozicionohet jo si alternativë proaktive, me propozime të reja dhe të ndryshme politike, por në formë reaktive si rruga kundër. Në këto sekuenca déjà-vu-je, mund ta shohim Topin të na shfaqet herë si Meta i pakënaquri, fraksionisti, plëngprishësi, herë si Rama e drejta, e vërteta, shpëtimtari, anti-Berisha dhe madje, ndonjëherë edhe si vetë Berisha me tonin e gabuar të reagimeve publike dhe gjaknxehtësinë e batutës. Duket sikur të gjitha këto e kanë nxjerrë një herë e mirë Bamir Topin nga zona e qetësisë politike, që e karakterizonte si profil politikani deri përpara përfshirjes së hapur në konfliktin me Berishën dhe të vetët.
Të jetë kjo strategjia e fshehtë e Berishës me qëllim ndezjen (djegien) e Topit? Vështirë ti gjesh arsyetim tjetër bataresë që lëshon ndaj tij karikatori i maxhorancës dhe Berisha, sikur të mos kenë dëgjuar ndonjëherë të flitet për kosto elektorale, sikur nuk kanë qenë vetë ata përfituesit e një skenari të ngjashëm të përsëritur brenda së majtës, në 2005-n dhe 2009-n! Bie në sy sportiviteti me të cilin e kanë marrë fundin e mandatit të dytë, duke shpenzuar kohë dhe energji në sportin me Topin. Ky konfliktim i zgjatur duket si një nga ato taktikat e sforcuara për të prodhuar spektakël dhe pasione politike, që mbulojnë zbrazëtinë vepruese të qeverive dhe konsumimin e tyre të pashmangshëm. Si taktikë mund të rezultojë edhe efikase në qëllimin për të denatyruar profilin e Topit, ashtu siç është provuar disa herë e suksesshme në diabolizimin dhe delegjitimimin e figurës së kryetarit të opozitës, Edi Rama. Mirëpo, nga pikëpamja e interesit publik, nuk prodhon asgjë të vlefshme, ndërsa shumë herë më të dëshiruara dhe elektorale njëherazi mund të ishin reformimet e sinqerta dhe rifreskimi politik i së djathtës.
Nga ana tjetër, edhe fërkimi i duarve online nga Rama me analiza të së djathtës, ashtu siç atij i duhet të jetë, zbulon, për më tepër, një moment zbrazëtie komunikuese dhe politike, që buron prej vetë opozitës. Edhe pse e futur më në fund në rrjedhën e normalitetit të dëshiruar institucional dhe politik, duket se as opozita nuk e ka gjetur ende yllin e vet polar, përderisa ditën kur mban tryezë kombëtare me temë bujqësinë, kryetari preferon ta diversifikojë komunikimin duke dalë online me temën e të djathtës. Marrja e Ramës me të djathtën dhe ndeshjen ndërmjet Topit e Berishës mund të mos jetë ajo që pritet prej tij për mënyrën si e ka riformatuar veten si antipod i Berishës. Mirëpo, asgjë për tu qortuar nuk ka në zgjidhjet e reja komunikative të së majtës, e cila me daljen në hapësirën virtuale na ka shpëtuar nga banaliteti i foltoreve të veta politike, duke e nxjerrë nga ana tjetër në teknologji të vjetër dhe komunikim bajat maxhorancën. Edhe një herë problemi i opozitës dhe Ramës nuk qëndron tek forma, por të përmbajtja e komunikimeve të tyre politike, që vijon në bosht ideor dhe programor fushatë pas fushate. Roli publik i spektatorit të kënaqur dhe të interesuar në çarjen Topi-Berisha vetëm sa u vë më tepër theks mangësive të saj në politika pro-aktive dhe propozuese si alternativë me përmbajtje të ndryshme dhe jo thjesht me pamje të ndryshme.
Së fundi, ndeshja Topi-Berisha na ka tërhequr të gjithëve nga pak në vorbullën e vet dhe as ky shkrim nuk i shpëton ngasjes për të komentuar sportin më popullor në Shqipëri, atë të konfliktualitetit politik. I ushqyer gjithashtu nga mediat, që e vendosin rregullisht në axhendën e tyre përplasjen brenda kampit të djathtë, personalizimi i temës ka arritur nivele më të larta sesa analizimi i dukurisë së konfliktualitetit, i cili kërkohet nga vetë palët si sport politik për efekte elektorale. Por është pikërisht ky interesim dhe angazhim i palëve në një përplasje personash si kjo, që duhet lexuar me kujdes në nivelin e dytë shprehës, për të nxjerrë në pah zbrazëtinë dhe mangësitë në teza dhe veprim, në komunikim dhe programim, që karakterizojnë momentin politik në Shqipëri. Një moment sa i pasur në përplasje personash, aq i varfër në përmbajtje alternativash.
