Joachim Gauck, Presidenti i përbashkët konsensual
Dje pasdite, Asambleja Federale e Gjermanisë zgjodhi Presidentin e ri të vendit, z. Joachim Gauck. Ai është presidenti i 11-të i R.F. të Gjermanisë dhe u zgjodh pas dorëheqjes së dytë të një kreu shteti brenda dy vjetësh; Horst Kohler dha dorëheqjen në maj të vitit 2010 në mesin e mandatit të tij të dytë dhe Christian Wulff para një muaji, më 17 shkurt të këtij viti.
Gauck ka lindur në qytetin Rostok në vitin 1940, ka studiuar për Teologji dhe ka ushtruar për një kohë të gjatë detyrën e pastorit. Mbas bashkimit të Gjermanisë ka qenë për një periudhë të gjatë kreu i autoritetit për dokumentet e Stas-it. Ai është autor i disa librave, më të rëndësishmit nga të cilët- Dimer në verë dhe Liria.
Joachim Gauck ka gëzuar vazhdimisht një simpati dhe popullaritet të gjerë në Gjermani, me një karakter antikonformist dhe në kuadër të aktivitetit të tij për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave civile.
Gauck ka qenë dhe në vitin 2010 kandidat për në zyrën më të lartë të shtetit, në atë kohë i propozuar nga SPD dhe të Gjelbrit. Që në atë kohë ai mori shumë mbështetje dhe në Asamblenë Federale, duke marrë edhe vota të koalicionit qeveritar të Unionit dhe liberalëve FDP. Kandidati i propozuar dhe i dëshiruar i atëhershëm i koalicionit qeveritar, Christian Wulff, arriti të marrë vetëm në raundin e tretë numrin e nevojshëm të votave.
Dje, mbledhja e Asamblesë Federale u thirr, siç parashikohet nga Kushtetuta, nga Presidenti i Bundestagut Lamert në ndërtesën e Reichtagut në Berlin. Sipas Kushtetutës gjermane, Asambleja Federale mblidhet në rast ndërprerjeje të parakohshme të mandatit të Presidentit, por jo më vonë se 30 ditë mbas kësaj date. Dita e djeshme përbënte afatin kohor të fundit të parashikuar nga Kushtetuta.
Ai ishte kandidat i përbashkët i Unionit CDU-CSU dhe SPD, të gjelbrit dhe FDP. Ndërsa Linke (e majta) nuk u përfshi në bisedimet për emrin e kandidatit të përbashkët. E majta përzgjodhi për të propozuar për President gazetaren 73- vjeçare Beate Klausfelt.
Vetëm dy ditë mbas dorëheqjes së Presidentit Wulff, të gjitha partitë e përfaqësuara në Parlament (përjashto të majtën) u ulën nën drejtimin e kancelares Merkel dhe u konsultuan gjerësisht për kryetarin e ri të shtetit. Koalicioni qeverisës i kancelares Merkel e kishte shumicen në Bundestag dhe në Asamblenë Federale dhe i kishte të gjitha mundësitë për ta zgjedhur nga radhët e veta Presidentin e ri. Por gjatë kohës që ish-Presidenti Wulff u akuzua për aferat e njohura me kredinë e shtëpisë dhe me median (gazeta Bild) e derisa dha dorëheqjen edhe kancelarja Merkel, u përball me kritika të shumta në shtyp për këmbënguljen e treguar dy vjet më parë për të zgjedhur Wulff President të vendit (duke qenë kryeministër i Landit të Saksonisë së Poshtme).
Mbi Merkelin rënduan edhe etiketimet që iu atribuan Presidentit (se cenoi institucionin e Presidencës dhe se gëzonte popullaritetin më të ulet në historinë e që pas-luftës si kryetar i shtetit).
Pra, kancelarja Merkel zhvilloi negociata me partitë SPD dhe të gjelbrit dhe, në përfundim, mbas konsultimeve jo të lehta, partitë parlamentare pranuan një zgjidhje konsensuale dhe deklaruan në fund se ne ramë dakord se një kandidat i përbashkët do të ishte i dobishëm për dinjitetin e postit. Në këto konsultime ishte një listë me disa kandidatë, disa prej të cilëve deklaruan se nuk dëshironin të kandidonin, ndërsa për ndonjë tjetër nuk u arrit mirëkuptimi gjatë konsultimeve. E vërteta është se kancelarja Merkel dhe Unioni CDU-CSU që ajo kryeson, nuk këmbëngulën për kandidatë të tyre.
Joachim Gauck, Presidenti i sapozgjedhur, ishte përmendur si kandidaturë e mundshme që në kohën kur u akuzua ish-presidenti Wulff me mendimin se ai po shkonte drejt dorëheqjes, siç ndodhi në fakt.
Ai ishte një kandidat potencial jo vetëm i opozitës SPD dhe të Gjelbër, por edhe i preferuar që atë kohë edhe nga liberalët (FDP, që janë në koalicion qeveritar dhe përfaqësohen edhe nga zëvendëskancelari Philipp Rasler.
Pa u lënë vend hamendësive, spekulimeve partiake apo atyre të shtypit, apo deklaratave të individëve të ndryshëm në politikë, kancelarja Merkel menjëherë sapo përfundoi konsultimet, doli në konferencë shtypi së bashku me krerët e partive parlamentare, me përjashtim të partisë (e majta) që nuk u përfshi në bisedime dhe shpalli zotin Gauck si kandidat të përbashkët konsensual. Merkel deklaroi: Jam e sigurt se ky njeri mund të na japë një hov të rëndësishëm në sfidën e kohës sonë dhe të ardhmes, globalizimin, krizën europiane dhe ndërkombëtare të borxhit, reformën e energjisë, sigurinë e brendshme dhe të jashtme, si dhe besimin në demokracinë dhe rendin tonë liberal, që duhet ushqyer herë pas here.
Kryetari i opozitës SPD, Sigmar Gabriel, theksoi se çmon përpjekjet për kandidatin e përbashkët. Rreth kandidatit Gauck ai u shpreh se ai bën pjese në ata që janë të vetëdijshëm në vështirësitë e demokracisë parlamentare, të partive dhe institucioneve për të arritur kontaktin me popullsinë dhe besimin e saj. Unë mendoj se ai do të kontribuojë në mbylljen e hendekut mes njerëzve dhe institucioneve të demokracisë dhe të partive.
Ndërsa kryetarja e Partisë së Gjelbër, Claudia Roth, tha: Joachim Gauck është ai, i cili mund ti rijapë demokracisë shkëlqim, dikush që mund ta paraqesë demokracinë si diçka shumë moderne. Dhe sidomos në kohën e rrjeteve terroriste, mendoj se është akoma më e rëndësishme që President i vendit tonë të bëhet Joachim Gauck, i cili mund të bëjë demokracinë atraktive si të arritshme dhe të nevojshme për bashkëjetesën.
Zv/kancelari dhe kryetari i FDP, Philipp Rasler, tha: Është me të vërtetë një fillim i mirë që ne kemi gjetur një kandidat të mirë, që qëndron mbi partitë dhe për ti ridhënë autoritetin postit më të lartë shtetëror.
Ndërsa kandidatja e majtë, Beate Klasfelt, është bërë e njohur jo vetëm për shkrimet e saj kundër nazi-fashizmit dhe gjurmimin e krimineleve të luftës, por edhe me shuplaken në fytyre që ajo goditi mbi katër dekada më parë, në vitin 1968, kancelarin Kurt Georg Kiesenger në një kongres të CDU-së, duke e sharë atë si nazist. Ajo jeton në Paris dhe gjatë votimit të djeshëm mori 126 vota, pra vetëm të partisë që e propozoi.
Deri dje, në zgjedhjen e Presidentit të ri në bazë të Kushtetutës, kompetencat e Presidentit i kishte Kurt Seehofer, President i Bundesratit dhe njëkohësisht Kryeministër i Landit të Bavarisë.
Asambleja Federale përbëhet nga 1240 delegatë, duke përfshirë 620 deputetë të Bundestagut dhe 620 anëtarë të përcaktuar nga parlamentet e landeve. Ajo mblidhet si rregull çdo pesë vite, vetëm për zgjedhjen e Presidentit federal.
Se sa përfaqësues u lejohen landeve të veçanta në Asamblenë Federale, kjo llogaritet në bazë të numrit të tyre të popullsisë. Përfaqësuesit e landeve zgjidhen nga parlamentet përkatëse, ku pjesa më e madhe janë deputetë të parlamenteve të landeve, por mund të jenë edhe politikanë lokalë dhe personalitete nga fusha të tjera të jetës publike.
Dje, Presidenti Joachim Gauck u zgjodh me 991 vota nga 1228 anëtarë të Asamblesë Federale (mungonin 12) duke marrë që në raundin e parë një shumicë absolute dhe duke u shpallur kështu Presidenti i 11-të i R.F.Gjermane. Më 23 mars, në një mbledhje të përbashkët në Bundestag dhe Bundesrat (Këshilli Federal), Presidenti Gauck do të bëjë betimin.
Në fjalën e tij të djeshme, Presidenti gjerman deklaroi: Do ti them po me të gjithë forcën dhe zemrën përgjegjësisë që marr. Sigurisht nuk do të plotësoj çdo gjë në pesë vjet, por do të angazhohem kundër zhgënjimit të njerëzve nga politika dhe do të bashkëpunoj për të afruar më shumë udhëheqësit me popullin.
Dje, klasa politike gjermane tregoi edhe një herë përgjegjësi të lartë politike jo thjesht në zgjedh
