Edvin Rama kërkon taksë “gungë” për qytetarët
Edvin Rama shkoi në Nju Jork, në tempullin e demokracisë dhe të kapitalizmit, për t’u folur për rishpërndarjen e të ardhurave dhe politikën fiskale një grupi të përzgjedhurish me kujdes në Amerikë, sepse sipas tij, “95 % e popullsisë që fitojnë shumë pak paguajnë shumë më shumë se 5 % e popullsisë që janë të pasur”, paçka se lideri i opozitës vijon të deklarohet me 3 mijë euro në bankë dhe me shumë borxhe. Kreu i Partisë Socialiste harroi të shpjegonte seminaristëve të përzgjedhur me kujdes, për çdo shtresë, në Nju Jork, se deputetët afaristë gjenden në opozitë dhe jo në pozitë. Për të vërtetuar këtë fakt mjafton te lexosh deklaratat e pasurisë në ILDKP të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Opozita e sotme është e përbërë nga biznesmenë dhe milionerë të rritur përgjatë qeverisjes socialiste 8 vjeçare dhe sundimit të Ramës për 11 vjet në kryeqytet, ku afaristët e betonarmesë ngritën aq shumë pallate saqë mund të krahasohen me kërpudhat pas shiut. Në lindje të Europës ky model post-komunist mund të gjendet vetëm në modelin rus të kapitalizmit, pra, të atij modeli që ka përfituar oligarkia e Vladimir Putin.
Kuptohet vetiu për të ekuilibruar këtë shifra të marra kushedi se ku, Rama propozon të ashtuquajturën taksim “progresiv” (taksë e rritur në bazë të xhiros vjetore të sipërmarrjes), çka nënkupton që personat me të ardhura “të larta”, të taksohen më shumë se “të varfrit”, paçka se nuk ka dhënë shpjegime për formulën që do të përdoret papërmendur uljen e informalitetit. Propozimi i Edvin Ramës për “rrjepjen” e re të atyre që paguajnë taksat në këtë vend është sa i dukshëm po aq i rrezikshëm. Është i rrezikshëm për faktin që rrumbullakos pa ndonjë studim të besueshëm “të varfrit” në 95 për qind dhe “të pasurit” në 5 për qind, duke ushqyer e nxitur kësisoj një urrejtje “shtresore” njëlloj siç bënte Enveri me urrejtjen klasore. Këto shifra thjesht janë të nxjerra nga tenxherja populiste e përzierjes së pavërtetave me gjysmë të vërtetat.
Sigurisht është e vërtetë që vend ka evazion fiskal dhe informalitetit, siç ka në çdo vend të Mesdheut, por që të përdorësh goditjen e evazionit fiskal dhe informalitetin nëpërmjet rritjes së taksave qesim është futja e një klime fiskale jo të qëndrueshme për investitorët e huaj dhe goditjen e biznesit vendas. Afërmendsh i gjithë komuniteti i biznesit është kundër çdo lloj takse progresive, preferojnë sigurisht taksën e sheshtë sepse është një ndër lehtësitë që ofron sistemi fiskal aktual, jo vetëm për biznesin vendas, por kryesisht për investitorët e huaj. Heqja e taksës së sheshtë, e cila aktualisht është në masën 10 % për tatimin mbi fitimin dhe mbi të ardhurat personale, dhe vendosja e një takse progresive, e cila do të ketë të rritur tatimin mbi fitimin mbi bazën e xhiros vjetore të biznesit, do të dëmtonte sipërmarrjen shqiptare dhe do të frenonte investitorët e huaj, të cilët ndihen të stimuluar të investojnë në Shqipëri nga lehtësitë fiskale. Duhet thënë haptazi që taksa e sheshtë e shpëtoi vendin nga prekja e krizës ekonomike, paçka se ngadalësoi rritjen e ekonomike. Nëse do të kishim pasur një taksë progresive recesioni ishte i siguruar me një mijë për qind. Prandaj dhe revistat e specializuar financiare botërore, siç është “Forbes” në SHBA të flasin për shembull të mirë të taksës progresive në Shqipëri.
Sidoqoftë edhe një gjë tjetër duhet thënë: taksën e sheshtë se ka shpikur kryeministri Berisha, por fakti që pati guximin ta vendoste në kohë krize kur dihet që të gjithë shtetet e tjera ngritën taksat, tregon për largpamësi dhe vizion ekonomik të qartë. Kundërshtari i kryeministrit Berisha është i paqartë jo vetëm në formulën e taksës progresive, por edhe në faturën e taksave që paguan apo deklaron në sy të gjithëve, se ka vetëm 3 mijë euro në llogarinë bankare, është pa shtëpi e jeton me qira, me një grua e dy kalamaj për të mbajtur me bukë, si dhe me një parti që deklaron se ka 300 milion detyrime të pashlyera, etj.