E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndeshja e dy rrefimeve te nje dhimbjeje

1.

Umm Hassan kishte parandier vdekjen. Mamia e kampit Shatila, gruaja që ka pritur në duart e saj çdo palestinez të lindur aty, në kampin që praktikisht është atdhe, kishte parandier se do t‘i vinte vdekja, kishte paralajmëruar një grua dhe ia kishte treguar pëlhurën e mëndafshtë e të bardhë, me të cilën dëshironte të mbështillej të nesërmen, pasi ta kishin larë e bërë gati për tabut.

"Ia ndjeva zërin vdekjes, bijë. Vdekja pëshpërit dhe zëri i saj është i butë", i tha Umm Hassan fqinjës. Vdekja mund t‘i ketë pëshpëritur mamisë fatlume, por kishte tinguj shurdhues për gjenerata të tjera palestinezësh, duke përfshirë edhe ata mbi 700 që u vranë në Gaza gjatë dy javëve të kaluara të sulmeve izraelite. Ato që i bënë bashkë maminë dhe të vrarët e Gazës, në shumicë civilë, nuk janë vetëm vdekja dhe të qenit palestinez, por është se të qenit palestinez bart me vete një rrëfim, një rrëfim kujtese për fshatin që dikur quhej atdhe e që sot është pjesë e territorit të okupuar, një rrëfim për momentin kur duhej braktisur këtë fshat, një rrëfim për ëndrrën e kthimit në të, një rrëfim të gjatë jete pa atdhe... Një rrëfim për Naqba-në, katastrofën palestineze pas luftës arabo-izraelite të vitit 1948. Një rrëfim kolektiv, të gërshetuar me qindra sish individuale që i përmbledh në romanin e tij epokal "Porta e Diellit" (Picador, New York, 2006) shkrimtari libanez, Elias Khoury, një vepër cilësore e letërsisë botërore.

2.

Dy narracione, dy sisteme mendimesh, dy interpretime të realitetit zhvillonin rrugëtimet e veta paralele javën e kaluar në mendjen time, ndërsa shikoja sulmin e shpërpjesëtuar izraelit ndaj Gazës.

Në njërin ishin imazhet e fëmijëve të bartur me shpejtësi për trajtim mjekësor, tashmë të improvizuar në spitalet e Gazës ngase nuk kishte vend më për të plagosurit. Sytë e tyre të frikës, dhimbjes e të panjohurës që i pret ishin një rrëfim kolektiv, të kuptueshëm nga perspektiva e "Portës së Diellit". Të kuptueshëm nga lirika e dhembjes, nga epika e refugjatit.

Në tjetrin, ishte preciziteti i gjuhës së zëdhënësve ushtarakë izraelitë, të cilët shpjegonin në terma joemocionalë se çka po ndodhte në terren, duke përfshirë edhe thirrjet e supozuara telefonike, që ushtria izraelite po u bënte banorëve të apartamenteve e të shtëpive, të cilat do t‘i bombardonte pas disa çastesh, thirrje këto që, sipas të gjitha gjasave, nuk kishin mbërritur të dëgjohen nga banorët, të cilët pak çaste më vonë do të ishin të vrarë. Në këtë narracion, të vrarët civilë ishin dëm anësor, ndëshkimi pothuaj kolektiv ishte operacion kundër terrorizmit, rrethimi i qytetit me ndalesë furnizimi ishte e drejtë legjitime e mbrojtjes së shtetit të Izraelit.

Për këtë narracion nuk do të mjaftonte romani i shkrimtarit libanez. Do të mund të përshkruante, për të satën herë, viktimizimin palestinez, por nuk do të mund të shpjegonte arsyen e ftohtë, arsyetimin e cilitdo zyrtar izraelit se pse është krejtësisht brenda normave të të drejtës që të vriten me qindra fëmijë palestinezë në emër të ndëshkimit për vrasjen a plagosjen e një fëmije izraelit. Për këtë nevojitet një libër tjetër.

3.

Olivier Roy, studiuesi më me nam francez i Lindjes së Mesme, ofroi mbi gjysmë viti para luftës së fundit në Gaza, një analizë të ftohtë, dramatike, dhe në thjeshtësinë e vet, brilante të kompleksitetit të Lindjes së Mesme. Në "Politika e kaosit në Lindjen e Mesme" (Columbia University Press, New York, 2008), Roy sulmon parimet ideologjike të administratës republikane amerikane, njëri prej të cilëve është përshkruesi më i mirë i asaj që ndodhi këto ditë në Gaza. Në vizionin e këshilltarëve neokonservatorë të Presidentit Bush, të shkruar më 1996, "Izraeli duhet t‘i ketë duart krejtësisht të lira, në mënyrë që të garantohet siguria e tij e të definohen dhe përmbushen interesat e veta strategjike; përjashtohet këmbimi i territoreve për paqe, meqë qëllimi është që të vendoset një paqe e armatosur.

Izraelitëve u duhet të lejohet të bëjnë ç‘të duan me palestinezët, të cilët ende nuk i anë afruar pikës së dorëzimit".

"Paqja e armatosur", si mjet politik, u shndërrua në parim dhe iu bashkëngjit parimit tjetër tradicional të politikës amerikane, atij të "përkrahjes së pakushtëzuar" amerikane ndaj Izraelit.

Një kombinim i tillë e ka lënë Izraelin, thotë autori, pa ndonjë arsye që të ndjekë procesin e paqes. Pra, e ka lënë pa procesin, i cili më në fund do t‘i jepte një siguri të nevojshme prej një rrethine që nuk e ka pranuar kurrë në tërësi ekzistencën e shtetit hebre. Madje, ndonëse Izraeli deklarohet në favor të zgjidhjes së problemit palestinez, dhe për këtë deklarohet edhe bashkësia ndërkombëtare, me kolonizimin e territoreve palestineze, me mungesën e unitetit politik palestinez dhe me sulmet e ndaj Hamasit e ndaj Fatahut më herët, "...kushtet në terren tashmë e bëjnë të pamundur krijimin e një shteti funksional palestinez".

4.

Dhe këtu nuk përfundojnë problemet. Mungesa e perspektivës për një shtet palestinez vihet në një kontekst edhe më të gjerë, shpjegon Roy. Lufta në Irak ka krijuar një balancë të re fuqish në Lindjen e Mesme, me shfaqjen e Iranit si fuqi rajonale, e së shpejti edhe bërthamore. Irani, tashmë i papenguar prej digës tradicionale që përfaqësonte Iraku, ndërhyn në politikën e brendshme të këtij vendi nëpërmjet faktorit shiit, faktor tashmë vendimtar po ashtu në Liban, duke prishur balancën e vjetër sunit-krishter në ndarjen e pushtetit, duke futur në lojë lëvizjen Hezbollah. Së fundmi, me investim në lëvizjen Hamas, Irani ka arritur ta promovojë veten si lojtarin më serioz antiizraelit, para syve të botës arabe, të zhgënjyer me regjimet e veta, edhe ashtu jodemokratike.

Në këso konstelacioni, për Izraelin, çështja palestineze nuk është e kurrfarë urgjence, krahasuar me urgjencën që të frenohet Irani, gjegjësisht ambicia e tij bërthamore, dhe, natyrisht shndërrimi i Iranit si i barabartë me Izraelin me pronësi bombë atomike.

A është kjo një luftë kundër një fronti të gjerë islamik?

Për autorin, vënia e Islamit në një kontekst negativ është po ashtu produkt i drejtpërdrejtë i koncepteve ideologjike të neokonservatorëve, gjegjësisht i mungesës së përcaktimit të armikut në luftën e filluar pas 11 shtatorit. Lufta "kundër terrorizmit global" nuk e përcakton as armikun konkret e as fushëbetejën konkrete dhe kjo gjendje lejon që të bëhen përgjithësime, si ai për terrorizmin islamik.

Në fakt, siç shprehet autori, në lojë, pos të gjithë faktorëve është edhe nacionalizmi, pra ai që Iranin e sheh jo nëpërmjet syve të një "internacionaleje islamike", por nëpërmjet gjuhës perse dhe interpretimit shiit të Islamit, ai që lëvizjen Hamas, sado të ketë elemente të forta religjioze, megjithatë e shpie në një luftë për shtetin palestinez, e jo për një Kalifat islamik në Lindjen e Mesme.

5.

Javën që kaloi dëgjoja në TV rezonancat e dy librave.

Në njërën, palestinezë të Gazës rrëfenin, duke e kufizuar pasurinë e emocionit të tyre me varfërinë e anglishtes me të cilën shpreheshin, se si disa prej tyre ishin fshehur në një shkollë të administruar nga OKB dhe si i kishte goditur artileria e tankut. Dikur, dikund, do të shndërrohen në një varg dhimbjeje, siç u shndërrua vargu i dhimbjeve të kampeve refugjate të Libanit në prozën brilante të Khouryt.

Në tjetrën, analistë gjeostrategjikë përmendnin hartën e madhe të Lindjes së Mesme, me problemet e veta emergjente që e presin Presidentin e ri amerikan. Në të ishte edhe armëpushimi i Gazës, e bashkë me të, edhe mundësia e armëve bërthamore në Iran. Ashtu siç kishte paralajmëruar, me pesimizëm, Roy.

Këto dy rezonanca thyheshin mbi sytë e fëmijëve palestinezë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›