Ndeshja më e gjatë në botë, Tirana ndëshkon Real Madridin
Reagimi i mediave
“Blackout”-i 90 minutësh ka bërë jehonë në mediat spanjolle dhe botërore
Ndërprerja e dritave në “Qemal Stafa” gjatë miqësores Gramozi-Real Madrid ka bërë jehonë në mediat spanjolle, por edhe ato botërore. Sipas “Antena 3”, “udhëtimi në Shqipëri u duk sikur zgjati një përjetësi, për shkak të ‘blackout’-it 90-minutësh”. Titulli i madh i përdorur nga televizioni spanjoll ishte: “Gramozi-Real, ndeshja më e gjatë në botë”, ndërsa në brendësi të lajmit citohej “makthi i skuadrës së Pelegrinit nisi prej minutës së parë të takimit, ku tifozët fanatikë të Gramozit nuk tregonin aspak mëshirë për lojtarët e Realit. Ata fërshëllenin sa herë që ‘merengue’-s kishin topin, ndërsa Kristiano Ronaldo ishte shënjestra e preferuar”. “Antena 3” publikoi edhe një deklaratë të Valdanos. Drejtori i përgjithshëm madrilen tha: “Pyesja veten nëse ai ishte një vend normal.
Megjithatë, e rëndësishme është që u kthyem në shtëpi shëndoshë e mirë”. Nuk kishte si të mos theksohej edhe ceremonia e shkurtër e dorëzimit të kupës “Taçi Oil”, ku kapiteni Raul u paraqit i vetëm: “Trofeu u ngrit nxitimthi nga sulmuesi legjendar, i cili kërkonte të largohej nga ferri i krijuar dhe nga frika se fishekzjarrët do t’i shpërthenin në fytyrë”. Sipas “La voz de Asturias”, gazetës së Oviedos, “miqësorja në Tiranë u shndërrua në një ndëshkim për Realin. Kalvari i madrilenëve nisi me udhëtimin drejt Shqipërisë, që do të sillte afro 2.5 milionë euro në arkat e klubit. Miqësorja me Gramozin u ndërpre për 90 minuta, për shkak të ndërprerjes së dritave, ndërsa pjesa e dytë u luajt me ndriçim të dobët”. Titulli i “Marca”-s ishte “Kaka e Benzema shohin dritë në Shqipëri”, “El Mundo Deportivo” fliste për “Errësirën miqësore”, ndërsa “Defensa central” shkruante: “Reali, një triumf me dritëhije”. Nga spanjollet, vetëm “realmadrid.com” e ka parë atë që ndodhi në një këndvështrim të ndryshëm, duke evituar polemikat. Në faqen zyrtare të klubit shkruhej: “Tirana ka përjetuar ditën më të bukur. Reali qëndroi fare pak në Shqipëri, por mjaftueshëm për të kuptuar admirimin që sportdashësit në shtetin ballkanik kanë për klubin ‘merengue’. Vizita e madrilenëve është një ngjarje e madhe për vendin që kishte nevojë për një ngjarje të tillë. Pavarësisht ‘blackout’-it, ndeshja e realizoi qëllimin: tifozët të kënaqeshin me lojën sulmuese të Realit”.
Argjentinasja “La Nacion” shkruante se “Reali u errësua në miqësoren në Tiranë”, italiania “La Repubblica” theksonte që “Madrilenët fituan 2-1 pas 90 minutave ‘blackout’”, ndërsa britanikja “The Independent” shfrytëzoi rastin për të ironizuar me Kristiano Ronaldon. Ajo shkruante: “Kur portugezi firmosi me Realin gjatë verës, ai përfytyronte net magjike futbolli me nëntë herë kampionët e Europës. Ronaldo ndoshta nuk e kishte menduar kurrë se do të qëndronte për afro një orë e gjysmë në dhomat e zhveshjes së stadiumit të Tiranës, në pritje që të vinin dritat dhe miqësorja me Gramozin të luhej deri në fund”.
#