Ndeshje të forta

Xhiro e katërt e ndeshjeve kualifikuese të regjionit të Evropës për Kampionatin botëror 2014 zhvillohet të martën dhe me vete sjell shumë ndeshje interesante, përfshirë përballje mes rivalëve të drejtpërdrejtë për pozitën e parë në grupet përkatëse.
Të fillojnë me radhë. Në Grupin A, Belgjika dhe Kroacia që kanë bërë nismë të mbarë dhe konsiderohen favorit përball Uellsit dhe Skocisë. Në duelin tjetër, Serbia është mysafire e Maqedonisë. Italia-Danimarka është kryendeshja e Grupit B.
Në rast se fitojnë ndaj Danimarkës, Azzurrët e Cesare Prandellit do të përforcojnë pozitën e tyre. Kurse, Në Pragë, Republika çeke pret Bullgarinë. Gjermania, deri më tani perfektë, do të zhvillojë sfidën e saj më të madhe deri më tani në kuadër të fushatës kualifikuese për Botërorin 2014 në përballje me Suedinë në Berlin.
Zlatan Ibrahimovic me shokë do të mundohet të ndal skuadrën e Joachim Lowit e cila deri më tani ka rrëmbyer pikë të plota pas tri takimeve. Ishujt Faro-Republika e Irlandës dhe Austria-Kazakistani përbëjnë qiftet tjera të Grupit C.
Rumania ka filluar shumë mirë në Grupin D dhe pas fitores në udhëtim në Turqi, tani e pret një tjetër përballje e rëndësishme, por kësaj radhe edhe më e vështirë. Skuadra e Victor Piturcas ka fituar tri ndeshjet e para – dy prej tyre në udhëtim – duke shënuar shtatë gola pa asnjë të pranuar. Por, misioni i tyre i ardhshëm është ai më i vështiri, presin Holandën e Louis van Gaalit që po ashtu ende nuk ka bërë asnjë gabim deri më tani. Në duelet e tjera, Hungaria ndeshet me Turqinë, kurse Andorra me Estoninë.
Në Grupin E, Zvicra me në krye Xherdan Shaqirin e Granit Xhakën është mysafire e Islandës. Shqipëria pret Slloveninë në Qemal Stafa, kurse Qiproja takohet me Norvegjinë. Rusia e Fabio Capellos, lider në Grupin F pas fitores 1-0 ndaj Portugalisë në fundjavë sërish është nikoqire, por kësaj radhe ndaj një kundërshtari më të lehtë, Azerbajxhanit. Portugalia synon këndelljen ndaj Irlandës Veriore, kurse Izraeli takohet me Luksemburgun.
Në Grupin G, Bosnja e Hercegovina do të kërkojë fitoren ndaj Lituanisë. Letonia ndeshet me Lihtenshtajnin, kurse Greqia është mysafire e Sllovakisë. Polonia pret Anglinë në ndeshjen kryesore të Grupit H.
Ukraina përballet me Malin e Zi, ndërsa San Marino takohet me Moldavinë. Grupi I sjell takimin që ndoshta mund të konsiderohet si më i forti. Kampioni në fuqi, Spanja ndeshet me Francën. Spanja është e pamposhtur në 24 ndeshje të njëpasnjëshme kualifikuese, por Trekolorët do të synojnë tua ndërprenë serinë pozitive. Bjellorusia takohet me Gjeorgjinë në takimin tjetër.
Grupi A
Kroacia-Uellsi 20:00
Maqedonia-Serbia 20:30
Belgjika-Skocia 20:45
Grupi B
Republika çeke-Bullgaria 20:00
Italia-Danimarka 20:45
Grupi C
Ishujt Faro-Rep. e Irlandës 20:00
Austria-Kazakistani 20:35
Gjermania-Suedia 20:45
Grupi D
Andorra-Estonia 19:00
Rumania-Holanda 20:00
Hungaria-Turqia 20:30
Grupi E
Qipro-Norvegjia 20:00
Islanda-Zvicra 20:30
Shqipëria-Sllovenia 20:45
Grupi F
Rusia-Azerbajxhani 17:00
Izraeli-Luksemburgu 18:00
Portugalia-Irlanda e Veriut 21:45
Grupi G
Letonia-Lihtenshtajni 19:00
Bosnja-Lituania 20:00
Sllovakia-Greqia 20:30
Grupi H
Ukraina-Mali i Zi 20:00
San Marino-Moldavia 20:30
Polonia-Anglia 21:00
Grupi I
Bjellorusia-Gjeorgjia 18:00
Spanja-Franca 21:00