"Ndëshkim ligjor për ata që dëmtojnë banesat karakteristike"
"Ndëshkim ligjor për të gjithë ata qytetarë, të cilët dëmtojnë banesat e tyre karakteristike, duke shkaktuar dëme të pariparueshme. Ndëshkimi ligjor për këto raste duhet të jetë i shpejtë dhe i vazhdueshëm; Berati është trashëgimi botërore e njerëzimit dhe si e tillë vëmendja e të gjithëve duhet të jetë maksimale", kështu është shprehur dje në mesditë ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri, i cili inspektoi punimet restauruese në qytetin e Beratit, të cilat janë në përfundim e sipër. "Berati tashmë i përket trashëgimisë botërore të turizmit. Projektet e financuara nga buxheti i shtetit në Berat, për herë të parë kanë trajtuar mbi 75 objekte në një lagje të vetme historike, duke u përshtatur më së miri me kërkesën e kohës për trajtime në ansambël të trashëgimisë kulturore materiale. Shumë shpejt, vëmendja do të kthehet edhe drejt trashëgimisë shpirtërore", vijoi më tej Xhaferraj. Ndër të tjera gjatë vizitës në lagjet e vjetra historike "Gorricë", "Mangalem" dhe "Kala", ministri i Kulturës u shpreh se edhe ndriçimi dekorativ i lagjes "Mangalem", është një risi tjetër në serinë e projekteve për Beratin. Sipas tij, MTKRS-ja po harton një projekt tjetër për simotrën e Beratit në UNESCO, qytetin e Gjirokastrës, me qëllim që edhe pazari karakteristik atje të jetë i ndriçuar sikurse e meriton dhe në stilin që përputhet me vlerat e tij botërore. Po kështu, ai bëri me dije se në vitin 2010 parashikohet ndërhyrja e fortë në Kala nga Delegacioni i Bashkimit Europian, një projekt-ide që tashmë është aprovuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve. Punimet restauruese në qytetin e Beratit kapin vlerën prej 60 milionë lekësh. Ministri Xhaferri vuri theksin në faktin që gjithë ky investim i MTKRS-së synon që trashëgiminë kulturore ta vërë në shërbim të turizmit.