Sot, dita më e ftohtë, ulje deri në 5 gradë
Sot do të jetë dita më e ftohtë e javës. Parashikimi është bërë nga Instituti Meteoalb. Sipas sinoptikanëve, tashmë jemi futur "zyrtarisht" në stinën e dimrit. Java që lamë pas ka qenë e ftohtë, temperaturat këto tri ditët e fundit janë ulur me disa gradë Celsius. Por, pavarësisht kësaj, dita më e ftohtë do të jetë kjo e sotmja. Reshjet e shiut dhe të dëborës do të jenë të pranishme jo vetëm në zonat malore, por edhe në zonën e ulët. Parashikimi i meteorologëve tregon se dita e diel do të jetë më pak e ftohtë. Por, java e ardhshme, duke nisur nga dita e hënë, do të jetë sërish e ftohtë, madje më e ftohtë se ditët që lamë pas. Bregdeti dhe zona e ulët do të dominohen nga vranësira dhe shira të dobët, ndërsa zonat malore do të mbeten me reshje dëbore. Mesdita e së shtunës sjell fuqizim të vranësirave, duke gjeneruar reshje shiu e dëbore të konsiderueshme në të gjithë territorin. Sipas sinoptikanëve, dëbora do të zbresë deri afër zonës së ulët. Dita e diel sjell një dobësim të vranësirave dhe reshjeve, por shirat dhe dëbora do të mbeten prezente në territor. E shtuna do të jetë dita më e ftohtë e kësaj jave, duke shënuar temperaturën minimales në rang vendi -8 gradë Celsius. Java në vazhdim do të nisë e kthjellët, por me temperatura edhe më të ulëta.
Temperaturat e ajrit do të bien me 5 gradë sot, ndërsa e diela do të sjellë një rritje të lehtë. Sipas Institutit të Parashikimeve Meteoalb, të hënën temperaturat do të bien sërish.
Këshillat e mjekëve u adresohen fëmijëve dhe të moshuarve. Konkretisht, këshillohet evitimi i ambienteve të ftohta dhe konsumi i dietave të pasura me vitamina e proteina.