Vlora e Elbasani, të vetmet me shpërblime në mënyrë të drejtë
Vetëm dy prej qarqeve duket se kanë gjetur mënyrën më të mirë për të shpërblyer punonjësit e tyre, duke mos bërë abuzime, apo duke mos lënë mënjanë efektivë të policisë për shpërblimin në fund të vitit. Vlora dhe Elbasani kanë menduar për këtë mënyrë shpërblimi, pasi drejtuesit e policisë në qarqet e tjera kanë zgjedhur mënyrën e shpërblimit për punë të mirë. Burimet në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan bënë të ditur se masa e shpërblimit do të jepet në një mënyrë, por do ketë dy lloje të tyre, që bazohen në gradat përkatëse. Sipas të dhënave zyrtare, masa e shpërblimit për efektivët e policisë në rolin bazë do të jetë 10 mijë lekë. Ndërsa për oficerët e rolit të mesëm dhe drejtues, ky shpërblim do të jetë 15 mijë lekë. Ndërsa nga Vlora mësohet se në Drejtorinë e Policisë, nga fondi i këtij viti do të përfitojnë të gjithë punonjësit e saj. Në linjë telefonike drejtori i kësaj drejtorie, Ylli Metko, për "Shqip" sqaroi se punonjësit e policisë së Vlorës do të shpërblehen nga kjo drejtori sipas gradave. Shpërblimet variojnë nga 10 mijë deri në 25 mijë lekë. Punonjësit e policisë të rolit bazë do të marrin nga 10 mijë lekë, ndërsa policët që janë me vjetërsi pune dhe të kualifikuar do të përfitojnë 15 mijë lekë. Për oficerët e policisë shifrat e pagesave variojnë nga 20 mijë deri në 25 mijë lekë që është dhe shifra më e madhe për këtë drejtori. Oficerët që kanë gradë të ulët do të përfitojnë 20 mijë lekë dhe tek ata hyjnë komisarët dhe nënkomisarët. Po të njëjtat shifra janë dhe për policinë kufitare të Qarkut të Vlorës.