"Elektra", në skenë me Roza Anagnostin e Luiza Xhuvanin
Vetëm pak ditë më parë, Kristaq Skrami, drejtori i Teatrit Kombëtar tregoi para mediave se tashmë ka nisur puna e aktorë e regjisorë po përgatiten për premierat e sezonit të ardhshëm. E para që do ta çelë sezonin në muajin shkurt është "Elektra" e Sofokliut, e cila do të ngjitet në skenë me regji të Adonis Filipit. Në rolin e Elektrës do të vijë aktorja Luiza Xhuvani, e cila duket se do të lërë për pak kohë mënjanë angazhimet politike për t‘iu kushtuar dashurisë së saj të madhe, aktrimit. Një tjetër aktore e madhe pritet të ngjitet për këtë premierë në skenën e Teatrit Kombëtar. Roza Anagnosti do të përballet me publikun duke veshur petkun e nënës së Elektrës, Klitemnestrës. Në role të tjera, (ende në proces përzgjedhjeje nga regjisori) mendohet aktori Laert Vasili, për zbërthimin e personazhit të Orestit ndoshta sepse e ka interpretuar më parë në Greqi ku jeton e punon prej vitesh, dhe shumë aktore të reja të Teatrit Kombëtar, të cilat do të interpretojnë vajtojcat e korit të Sofokliut.