E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Arrëthyesi", një dhuratë për fëmijët

Shfaqja e fundit e baletit "Arrëthyesi" në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit do të vijë si një solidaritetit artistik për fëmijët, të cilët meritojnë përkrahjen e shoqërisë. Ata do të mbushin sallën e Teatrit të Operës për t‘u argëtuar me një vepër e cila ngjitet në skenë në prag të festave të fundvitit. Ata janë fëmijë të cilët kanë njohur humbjen e të dashurve të tyre në krye të detyrës, ata të cilët të penguar nga vështirësitë ekonomike dhe nuk kanë njohur ditë të gëzuara, fëmijë të cilët kanë përjetuar dhe përjetojnë braktisjen në moshë të vogël, si dhe të gjithë ata që kanë nevojë të ndiejnë dorën e ngrohtë të ndjenjave miqësore dhe prindërore. Për t‘u dhuruar një mbrëmje ndryshe, artistët e Teatrit të Operës dhe Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë, kanë menduar t‘u dhurojnë kënaqësinë e artit të tyre për t‘u kthyer këtyre fëmijëve buzëqeshjen e ditëve të festës. Ashtu si personazhi i baletit të magjishëm të Çajkovskit, Droselmejer, që i dhuron Klarës së vogël kukullën e "Arrëthyesit", ashtu dhe Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit u dhuron atyre shfaqjen që në gjithë botën këto ditë është simbol i dashurisë njerëzore dhe i ndjenjave më të mira për fëmijët që janë e ardhmja e çdo shoqërie. Veprimtaria, e cila u kushtohet fëmijëve në këtë prag festash, vjen nën patronazhin e znj. Liri Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›