Ndëshkim maksimal për ata që prishin Europianin
Ministrja e Sportit dhe Turizmit në Poloni, Joana Muka: Nuk do të dorëzohemi përballë dhunës. Nëse do të kthehesha prapa, do ta lejoja sërish marshimin e tifozëve rusë.
Elegante, e zgjuar, e përgatitur. Nuk ndihet aspak inferiore në botën e meshkujve. Por jo në botën e maskilistëve, betohet ajo. Quhet Joana Muka, është 36 vjeçe, Ministre e Sportit dhe Turizmit në qeverinë e Kryeministrit Tusk. Ka studiuar për ekonomi, ka ide liberale dhe pasion për futbollin, mbi të gjitha ndjek kampionatin spanjoll.
Jam tifoze e Atletik Bilbaos, nuk kanë kampionë në skuadër, por një shpirt të jashtëzakonshëm. E them edhe si përgjigje ndaj dikujt që më akuzon se nuk kuptoj asgjë nga futbolli, shprehet ajo. Ne po ju sjellim intervistën e fundit të saj për mediat europiane.
Ministre Muka, le ta nisim nga incidentet e ditëve të fundit: 184 arrestime, shumica polakë, 20 të plagosur pas incidenteve në Varshavë. A ishte me vend të lejonit marshimin e rusëve?
Jam e mendimit se ishte vendimi më i drejtë. Nuk arrij ta imagjinoj që ti hiqet tifozëve e drejta për të festuar.
Por festa degjeneroi në dhunë. Nuk arritët ta parashikonit?
E kishim parashikuar, por çdo tifozëri ka edhe elemente të dhunshme. Disa prej të ndaluarve janë dënuar menjëherë për akte të tilla. Për shumë të tjerë na u desh të prisnim që tu dilte pija. Por edhe për ta pasojat do të jenë shumë të rënda.
Qeveria polake është në një vijë me sloganet e UEFA-s për Euro 2012: respekt dhe luftë kundër dhunës. Jam e bindur që suksesi ynë më i madh do të jetë mikpritja e të huajve.
Mediat angleze i kanë akuzuar tifozët polakë për racizëm.
Akuza të padrejta dhe false. Kam biseduar me BBC-në dhe i bëra këtë pyetje: “Si do të ndiheshit nëse një tv polake do të thoshte se për shkak të një episodi të ndodhur para një vit në Angli, e tërë Anglia është raciste?”. Polonia është një vend tolerant dhe i hapur.
Në vendin tuaj opozita ju akuzon se keni shpenzuar shumë për Europianin. Janë 90 miliardë zloti në fakt…
Vetëm 4% e shpenzimeve u janë dedikuar stadiumeve. Thuajse totali i investimeve që ka shërbyer për të ndërtuar infrastrukturën që pas Europianit do të shërbejnë për të përmirësuar jetën e polakëve.
Në të gjithë Europën vjen erë krize. Polonia vazhdon të rritet. Cili është sekreti?
Së pari, të shkurtohen shpenzimet e panevojshme. Më pas stabiliteti politik është thelbësor.
Le të kthehemi tek Euro 2012: Ukraina është mes krizës ekonomike, paqëndrueshmërisë politike dhe dhunimit të të drejtave njerëzore.
Përse të bojkotohet një eveniment sportiv për spekulime politike? Ka vite që Polonia mbështet të gjitha aksionet që mund ta afrojnë Ukrainën me Europën. Kur na u caktua organizimi i Europianit, kontinenti ynë ishte në majën e bumit ekonomik, pastaj na u desh të ridimensionoheshim. Ukraina mbi të gjitha nuk ka përfituar nga fondet europiane si Polonia.
A i ndiqni ndeshjet? Çfarë ju ka lënë mbresa deri tani?
Ky Europian është i paparashikueshëm dhe mund ta fitojë kushdo, madje edhe Polonia. E ëndërroj një finale kundër Spanjës.
E dini që kur Italia fitoi Botërorin 2006, ministre e Sportit ishte Xhovana Melandri, një grua si ju?
Pra, edhe ne do të kemi një shpresë më shumë.
Ukraina lufton racizmin: Futbolli na bashkon…
Tifozët nga e gjithë bota kanë luajtur futboll në qendër të kryeqytetit ukrainas dje për të treguar solidaritet dhe bashkim në luftën kundër racizmit dhe për të promovuar tolerancën. Ukraina është përfshirë nga akuzat e racizmit dhe një ish-yll i futbollit anglez u ka bërë thirrje tifozëve anglezë që të mos ndjekin ndeshjet atje sepse mund të kthehen në arkivole.
‘Zyrtarët ukrainas i kanë mohuar me zemërimi këto akuza dhe kanë premtuar një mikpritje të ngrohtë për tifozët. Në Poloni, vendi tjetër organizator, autoritetet e futbollit janë duke hetuar për abuzim racist ndaj dy lojtarëve me ngjyrë në ndeshjet e Euro 2012 dhe kanë thënë se do të ketë tolerancë zero ndaj diskriminimit gjatë tri javëve që do të zgjasë turneu.
Dhjetëra tifozët me fanella ku shkruhej ”Football Unites” apo Futbolli na bashkon, luajtën ndeshje me kohëzgjatje pesë minuta në zonën e tifozëve për Euro 2012 në sheshin kryesor të Kievit. Qindra spektatorë kanë bërë tifozllëk për ta.
Njerëz nga kombe të ndryshme, nga kultura të ndryshme, nga prejardhje të ndryshme, – ne luajmë, ne formojmë skuadra, është një ndeshje miqësore në rrugë, ka thënë Aniki Xhonson, shitës i pajisjeve mjekësore nga Nigeria, i cili ndihmoi në organizimin e këtij aktiviteti. ”Ishte një atmosferë shumë miqësore dhe e qetë, ka shtuar ai.
Den Not, student i gjeografisë nga Bristol, Angli, ishte mjaft optimist pas ndeshjes së skuadrës së tij, që përfundoi 1-1. Qëllimi është që njerëz anembanë botës të bashkohen dhe ti thonë jo racizmit. Është një kauzë e mirë.