E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndëshkohen subjektet me borxhe në tatime

Fier: Mbi 400 biznese, borxh te tatimet. Drejtoria rajonale nis aplikimin e sanksioneve

Rreth 400 subjekte të biznesit të madh në Fier janë debitorë ndaj drejtorisë rajonale tatimore. Debia e këtij numri të lartë biznesesh shkon në 276 milionë lekë (të reja). Ajo është akumuluar në vite si rezultat i mospagimit të detyrimeve nga subjektet. Sipas drejtuesit të drejtorisë së mbledhjes së borxhit në drejtorinë rajonale, Bujar Jazaj, debia e krijuar rezulton në mospagimin e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe në gjoba. Duke qenë se kjo debi nuk është shlyer edhe pas paralajmërimeve të shumta, drejtoria e tatimeve ka nisur aplikimin e sanksioneve. Këto të fundit përkojnë në vendosjen e gjobave të rënda deri dhe bllokimin e aktivitetit apo dhe të numrave të llogarisë të bizneseve debitore.

Rreth 2646 subjekteve u është aplikuar masa e bllokimit të llogarive bankare. Një masë tjetër ndëshkimore është ajo e bllokimit të doganës, masë që ka prekur 67 subjekte. Por nuk mungon si masë ndëshkimore dhe ndjekja penale. Për tetë subjekte drejtoria e borxhit pranë tatimeve të Fierit është duke përfunduar procedurat e ndjekjes penale.

“Vetëm për periudhën janar-qershor, me masë ndëshkimore të bllokimit të llogarive bankare, janë penalizuar 2646 subjekte të biznesit të madh dhe të vogël. Si rrjedhojë shuma kap vlerën prej 276,5 milionë lekësh. Nga borxhi i madh janë arkëtuar pas këtyre masa ndëshkimore 39 milionë lekë, që përfaqësohen nga 426 raste”, pohon drejtori Jazaj.

Ai sqaron se “në rast të mosgjetjes së shumave të bollshme të lekëve në llogaritë bankare të administratorëve të firmave debitore, tatimet kanë ndërhyrë me bllokimin e doganave për këto biznese. Kjo masë ka ardhur si rezultat i nënshkrimit të një marrëveshjeje midis Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe asaj të Doganave”.

Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Tatim-Taksave të Fierit gati 60% e këtij borxhi premtohet të vilet brenda vitit 2010.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›