E Diel, 1 Nëntor 2026

Duam 30 milionë lekë, ndryshe të vramë dhe do të varrosim në Peqin

Dosja Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgon në gjyq Revion Mekshin, i vuri gjobë zjarrfikësit Raimond Pula

Një 29-vjeçar është vënë nën akuzë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për gjobëvënie. Revion Mekshi dyshohet se i ka kërkuar në formë kërcënuese 30 milionë lekë shtetasit Raimond Pula, me detyrë zjarrfikës në Durrës. Ky i fundit ka marrë mesazhe kërcënuese në telefonin e shtëpisë, në celular dhe nëpërmjet letrave të shumta që mbërrinin në shtëpinë e tij. Pas evidentimit të kësaj ngjarjeje nga Policia e Durrësit, çështja u transferua tek Krimet e Rënda dhe hetimet u morën nga prokurori Ardian Nezha. Nga verifikimet e prokurorisë ka rezultuar se i pandehuri, Mekshi, i ka kërkuar 30 milionë lekë zjarrfikësit, pasi “në rast se nuk do të paguhej kjo gjobë, atëherë Raimondi do të vritej dhe do të varrosej në Peqin, ku i ishte bërë dhe varri gati”.

Sipas akuzës, në muajin qershor të vitit 2009, në telefonin fiks të shtëpisë së shtetasit Raimond Pula janë bërë disa telefonata me përmbajtje kërcënuese, ku nga telefonuesit fyheshin dhe kërcënohej e gjithë familja. Si rrjedhojë e këtyre fyerjeve dhe shqetësimeve Raimond Pula është detyruar të shkëpusë numrin e telefonit dhe ka komunikuar me familjen e tij përmes numrave të telefonave celularë. Fyerjet dhe kërcënimet, në adresë të tij, kanë vazhduar dhe në numrat e tij celularë deri ditën kur ai është detyruar të bëjë kallëzim në Prokurorinë e Durrësit, kallëzim i cili është regjistruar për veprën penale të “Përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike”. Gjatë kohës që nga prokuroria janë vënë në përgjim të dy numrat e telefonit, më datë 15 shtator 2009 në harkun kohor ora 11:00 deri në orën 14:00 janë dërguar në adresë të tij, 7 SMS me përmbajtje kërcënuese ku në dy prej tyre i është kërkuar 30 milionë lekë. Më pas vijont mesazhi se nëse nuk paguante, do të vritej dhe do të varrosej në Peqin, ku i ishte bërë varri gati. I tronditur nga SMS të tilla ai ka kontaktuar sërish me Prokurorinë e Durrësit dhe pas hetimeve është zbuluar se numri nga i cili dërgoheshin SMS-të ka qenë në emër të shtetases Drita D. Ajo ka pohuar para oficerëve të policisë gjyqësore se numri i celularit i është vjedhur me dhunë në Pazar dhe për këtë çështje i ka kërkuar kompanisë ta mbyllë. Pas këtyre verifikimeve, akuza mbylli hetimet ndaj saj, ndërsa çështja u transferua te Krimet e Rënda. Gjatë marrjes në pyetje në prokurori, Mekshi ka mohuar të kishte pasur telefonin në kohën kur janë nisur SMS-të e para.

Ndërkohë, në kohën kur po kryheshin hetimet, i dëmtuari Raimond Pula ka dorëzuar në prokurori si provë materiale një kartolinë urimi, e dërguar për vitin e ri në adresë të tij, nga ana e shtetases Afërdita Bojaxhiu. Zjarrfikësi tha se nuk e njeh këtë person dhe pretendoi se i njëjti person që e ka kërcënuar është dhe personi që i ka dërguar kartolinën. Prokuroria kreu ekspertimin grafik të shkrimit të personit Revion Mekshi, duke krahasuar shkrimin në zarf dhe kartolinën me dorëshkrimet e marra këtij shtetasi në 18 faqe formati A4. Objekt krahasimi ka qenë shkrimi i bërë në kartolinën “Te dua shumë shumë për jetën e dytë nga Diti”. Objekt krahasimi është gjithashtu dhe shkrimi në zarfin në të cilën gjendet kartolina. Sipas akuzës, nga ekspertimi grafik rezultoi se përmbajtja e shkrimit mund të ishte shkruar nga Mekshi, ndërsa shkrimi në zarfin e adresuar Raimond Pulës është shkruar nga Mekshi. Një tjetër episod ka rezultuar në kohë kur i dëmtuari Pula është thirrur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në këtë kohë ai është kërcënuar në telefonin e tij celular nga një numër kabine thirrje, që i janë bërë nga Tirana në kabinat e lagjes “Don Bosko” dhe nga bulevardi “Zogu I”. Nga hetimet e akuzës ka rezultuar se autor i këtyre kërcënime ka qenë sërish Revion Mekshi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›