Beqja: Rritja e pensioneve, poshtë normës së inflacionit
Opozita socialiste denoncon ndryshimet në buxhetin shtesë. Diskutimi teknik mbi ligjin në fjalë të miratuar me forcë kartoni dhe jashtë normës procedurale parlamentare është rimarrë në mënyrë të detajuar nga selia rozë, e cila po ndërton një platformë akuze ndaj Kryeministrit dhe ministrit të Financave. “Sali Berisha deklaroi se borxhi publik në vitin 2005 ka qenë 70%. Gënjeshtër! Vetë informacioni zyrtar i Ministrisë së Financave thotë se ka qenë 57%. Sali Berisha deklaroi se fondi i pensioneve është 109 miliardë lekë. Gënjeshtër! Gënjeu të hënën, gënjeu përsëri para 20 minutash”, deklaroi dje deputeti socialist, Ilir Beqja. Kështu, në pamundësi për të folur normalisht në seancë plenare, përfaqësuesit socialistë po i ofrojnë opinionit informacionin e vet lidhur me masat që trumbetohen nga qeveria e drejtuar nga Sali Berisha. Gënjeshtra, sipas PS-së, është aktualizuar si frymëmarrja e vetme mediatike për ekzekutivin e tanishëm, i cili edhe pse refuzon të njohë krizën ekonomike, ndërmerr veprime që manifestojnë situatë krize. Një orientim teknik për atë se si loja e shifrave shpërqendron opinionin dhe e bën të vështirë raportimin korrekt të gjendjes reale, të efektivitetit të masave të marra, është dhënë nga deputeti Beqja dje, përmes vlerësimit të deficitit, por edhe rritjes së pensioneve, që në ndryshim nga çfarë deklaron qeveria, sipas PS-së është poshtë normës së inflacionit. “Sot duam të përsërisim se është kriminale t’u japësh pensionistëve shtesë më pak se inflacioni. Sot duam të përsërisim se është kriminale t’u japësh personave me aftësi të kufizuar 2 mijë lekë më pak se detyrimi ligjor... Në 6-mujorin e parë 2009, administrata tatimore ka shënuar rekordet më të këqija në 10 vitet e fundit. Jo vetëm që ka krijuar një deficit prej 77 milionë dollarësh, por ka mbledhur 32 milionë dollarë më pak se në vitin 2009”, deklaroi Beqja. Në fakt, këta elementë ishin pika e fortë propagandistike e Berishës në debatin që u zhvillua për ndryshimet në buxhet, ndryshime të cilat u miratuan pa u ballafaquar me kritikat e Partisë Socialiste. Lëkundjet e shifrave për borxhin e 2005-s, që nga faqja zyrtare e Ministrisë së Financave deri te deklarimi verbal i Kryeministrit luhaten me 13%, flasin si për seriozitetin e prezantimit para publikut, ashtu edhe për gjendjen e vërtetë ekonomike. Për më shumë ajo i jep publikut metodën me të cilën operon kreu i qeverisë, që në ndryshim nga filli i retorikës futuriste me të cilën u nis qeverisja e vitit 2005, sot po kufizohet me krahasimin e arritjeve të veta me ato të qeverisjes socialiste të drejtuara nga një politikan që sot nuk qëndron më në karriget e sigluara nga PS-ja.
#