Ndihma e Zvicrës për vendet e varfra, 2.83 miliardë franga

Zvicra ka shtuar gjatë vitit 2012 ndihmat për zhvillim në vendet e varfra për 4.7 për qind ose 126 milionë franga më shumë se në vitin 2011. Në përgjithësi, këto ndihma gjatë vitit të kaluar kanë mbërritur shumën 2.833 miliardë franga. Ndërsa në nivel botëror, me këtë ngritje Zvicra zë vendin e dhjetë në mesin e 24 vendeve të DAC, pasi që për ndihma të tilla ka ndarë 0.45% të bruto produktit kombëtar.
Ndihma publike për zhvillim (APD) e Zvicrës nga viti 2000 ka filluar të shtohet mesatarisht nga 5 për qind në vit. Parlamenti është zotuar që deri në vitin 2015 përqindja në bruto produktin kombëtar e ndihmave për zhvillim të arrijë 0.5 për qind.
Këto të dhëna i ka publikuar Komisioni për ndihmat për zhvillim. Ndihmat e përmendura administrohen bashkërisht nga Departamenti i punëve të Jashtme dhe nga departamenti për Ekonomi, Arsim dhe Shkencë. Ato përfshijnë mjetet për ndihma humanitare, për bashkëpunimin zhvillimor me Evropën Lindore, si dhe ndihmat tjera që departamentet tjera ua ofrojnë vendeve të varfra./Indeksonline/