U nisën për në Vlorë, një trup gjendet në Kroaci

Po zbardhet në mënyrë tragjike misteri mbi zhdukjen e dy personave që ishin nisur nga Brindisi në jug të Italisë për në Vlorë, me një skaf të marrë me qira.
Sot policia e Brindisit po verifikon identitetin e një kufome që ka dalë në brigjet kroate.
Kufoma dyshohet të jetë e 62 vjeçarit Teodoraq Rexhepaj, i cili më 15 mars është zhdukur bashkë me mikun e tij nga Brindisi, Vittorio Danese, 41 vjeç.
Autoritetet kroate duket se kanë gjetur në portofolin e viktimës dokumentet e identitetit të Rexhepajt dhe kanë informuar familjarët e tij në Vlorë. Këta të fundit i kanë telefonuar Luca Leocit, avokat i familjes së Daneses, i cili ia ka përcjellë këtë sinjalizim policisë së Brindisit.
“Është e vërtetë gjithçka që keni lexuar sot në media”, konfirmon Luca Leoci për shqiptariiitalise.com. “Madje i biri i Teodoraq Rexhepajt është thirrur nga autoritetet kroate dhe është nisur tashmë për identifikimin e kufomës. Ndërsa për Vittorio Danesen nuk kemi akoma asnjë lajm”, transmeton BW.
Moti i keq dhe rrymat detare mund të kenë shkaktuar mbytjen e të kenë shtyrë drejt Kroacisë skafin e vogël me të cilin lundronin Danese e Rexhepaj./Indeksonline/