E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihma e legjendës

Thierry Henry ka pranuar se nuk është më futbollisti i cili terrorizonte kundërshtarët në fanellën e Arsenalit, por është i bindur se mund t’i ndihmojë ekipit në ndjekje të trofeve. Ylli francez pritet të luajë sonte kundër Leeds United në FA Cup. Kurse menaxheri Arsene Wenger ka përkrahur veteranin të ketë ndikim në skuadër.

Thierry Henry beson se Arsenali do të shohë një tjetër futbollist nga ai që udhëhoqi marshimin e tyre drejt titujve, kur ai të bëjë rikthimin dramatik kundër Leeds United të hënën mbrëma në ndeshjen e FA Cup.

34 vjeçari, ish kapiten i Arsenalit, u rikthye në klub me marrëveshje huazimi nga New York Red Bulls para sezonit të ri në Major League Soccer dhe do të jetë në dispozicion për ndeshjet e rëndësishme kundër Manchester Unitedit, Milan e ndoshta edhe Tottenhamit më 26 shkurt.

Henry u bë golashënuesi më i mirë në histori të Arsenalit brenda tetë sezoneve të suksesshme me klubin para transferimit në Barcelonë më 2007. Muajin e kaluar, për nder të tij u shpalos një statujë e bronztë jashtë stadiumit Emirates. Megjithatë, Henry pranon se “nuk jam më 25 vjeç” dhe më nuk mund të udhëheq i vetëm një skuadër të tërë, siç kishte bërë në ditët e tij më të mira me gjigantin londinez.

“Më kujtohet Dennis (Bergkamp) dhe ai ishte njeriu kryesor. Papritmas ai filloi të luante prapa sulmuesve dhe nëse keni aftësinë të shihni gjërat para kundërshtarit, ju mund të vazhdoni edhe nëse nuk keni fuqinë e këmbëve”, tha Henry.

“Nëse shikoni tani Ryan Giggsin, nuk është i njëjti Giggs me atë që merrte topin nga krahu dhe driblonte të gjithë para se të dërgonte një harkim të saktë. Por, ajo që ka Ryan Giggs është se mund të shohë lojën, ai është gjithmonë në dispozicion, e vendos veten në një pozitë ku mund të pranojë topin dhe kurrë nuk e humb prekjen. Kjo është ajo që synoj të bëj edhe unë në këtë skuadër, kur do që luaj”, shtoi ai. Henry pret të jetë protagonist për Arsenalin.

“Nga fillimi, siç kam thënë, duket se do të jem rezervist ose ndoshta në ndonjë ndeshje as në bankinë, por përfundimisht mund të ndihmoj skuadrën, të flas me ta dhe t’u tregoj se çka do të thotë të fitoni. Jam garues dhe asnjëherë nuk dorëzohem. Do t’u ndihmojë këtyre djelmoshave të kalojnë periudhat e vështira. Nëse pyetni këdo të përfshirë në Arsenal, ose dikë që e do ‘a mund t’i ndihmosh këtij ekipi?’ Çka do që është: pesë sekonda, pesë minuta, dhjetë minuta, të jeni në zhveshtore duke u munduar të ndihmoni me atë që dini dhe që keni mësuar – nuk kishte nevojë për të menduar dy herë”, përfundoi Henry.

Kurse menaxheri Arsene Wenger beson se Henry mund të thellojë statusin e tij legjendar gjatë këtyre javëve të ardhshme. “Pres nga ai të ketë ndikim që mund të tregojë çdo futbollist i mirë. Ai mund të shënojë gola, e ka treguar këtë – 226 në 370 ndeshje – dhe është futbollist i mirë. Çka kërkojmë prej tij është të na ndihmojë të fitojmë ndeshjet”, u shpreh Wenger.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›