E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zeka përfundon karrierën te Besa

Pas gjashtë muajsh të kaluar në Deçan, Haxhi Zeka është pranë ndarjes me këtë skuadër nga Liga e Parë. Futbollisti i njohur pejan shumë shpejt pritet të rikthehet te Besa, ku deri para gjysmë viti e mbante shiritin e kapitenit.

Sulmuesi ka pohuar se e ka marrë vendimin që në fund të këtij kampionati t’i japë fund karrierës nga futbolli aktiv dhe një gjë të tillë ai dëshiron ta bëjë me klubin për të cilin kishte derdhur djersë të madhe.

“Kam biseduar me drejtuesit e Deçanit, që të më lirojnë këta gjashtë muaj të luaj për Besën, sepse Besa ka nevojë për ndihmën time, e po ashtu unë dua ta përfundoj karrierën në fund të kampionatit me këtë ekip. Ndërsa, pas gjashtë muajsh, unë do të kthehem në Deçan, jo si futbollist, por në ndonjë mënyrë tjetër, për të punuar në atë skuadër. Besoj se shumë shpejt do t’i bashkohem Besës, sepse pa problem Deçani do ta aprovojë kërkesën time”, ka deklaruar Zeka për Express.

Duhet theksuar se Besa është hedhur në aksion për t’i kthyer në ekip shumicën e atyre futbollistëve me të cilët para disa vitesh shkëlqente në Superligën e Kosovës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›