E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të mbijetuarit

Kur ka kaluar vetëm gjysma e kampionatit, janë shënuar raste të shumta të ndërrimit të trajnerëve nga ana e klubeve të Superligës. Por, kësaj ‘stuhie’ i kanë shpëtuar vetëm Bekim Isufi i Dritës, Valdet Shoshi i Besës, Fidaim Haxhiu i Trepçës dhe Muharrem Sahiti i Gjilanit. Ata tregojnë se si shpëtuan deri më tani pa mbetur të papunë.

Bekim Isufi, Valdet Shoshi, Fidaim Haxhiu e Muharrem Sahiti janë trajnerët e vetëm që kanë shpëtuar nga fenomeni i ndërrimeve të shpeshta të trajnerëve që po i bëjnë vazhdimisht skuadrat e Superligës së Kosovës.

Në fakt, vetëm katër skuadra aktualisht i kanë trajnerët e njëjtë, me të cilët edhe e kishin nisur kampionatin e sivjetmë. Fjala është për Dritën, e cila vazhdon të udhëhiqet nga Bekim Isufi, Besën, e cila po ashtu e ka mbajtur Valdet Shoshin dhe Trepçën e Gjilanin, të cilat edhe më tutje u besojnë Fidaim Haxhiut, përkatësisht Muharrem Sahitit.

Në dallim prej këtyre katër skuadrave, klubet e tjera të Superligës sivjet kanë bërë ndërrime të shumta të trajnerëve, bile më shpesh sesa viteve të kaluara. Madje, ka ekipe që vetëm brenda gjysmës së kampionatit i kanë bërë më shumë sesa dy ndërrime të trajnerëve, siç është rasti me Hysin, i cili kampionatin e pati nisur me Fadil Ademin, në vend të të cilit më pas angazhoi Afrim Tovërlanin.

Por, ky i fundit vetëm pas dy seancave stërvitore e kishte braktisur ekipin bardhezi, i cili më pas angazhoi Jusuf Tortoshin. Por, drejtuesit e Hysit sërish Tortoshin e ndërruan me Tovërlanin. Ky fenomen vazhdon të jetë njëra prej pikave të shumta të zeza të futbollit kosovar, tash e disa vjet rresht.

Por, si u bë që katër trajnerët e lartpërmendur t’i shpëtojnë ‘papunësisë’? Kësaj pyetjeje i përgjigjen vetë ata. “Qysh në fillim, trajneri duhet të bisedojë qartë me kryesinë rreth objektivave të klubit. Unë e kam bërë një gjë të tillë. Kryesia më ka përkrahur dhe më ka kuptuar, sepse edhe unë e kam kuptuar Kryesinë dhe në kushte jo të kënaqshme, kam pranuar të punoj. Pra, kur Kryesia e ka të qartë objektivin, por edhe kushtet në të cilat punon trajneri, atëherë mendoj se nuk ka nevojë të vijë deri te ndarja”, u shpreh trajneri i Besës, Valdet Shoshi.

Njëjtë thotë edhe trajneri i Dritës, Bekim Isufi, i cili theksoi: “Rezultatet e mbajnë trajnerin në një ekip. Ne me rezultatet e arritura, i kemi tejkaluar objektivat, andaj mendoj se jam kaq gjatë në Dritë. Unë po ashtu kam qenë futbollist i Dritës, dhe mendoj se edhe kjo afërsi mes nesh ka ndikuar që unë të jem më i sigurt në këtë ekip”, theksoi Isufi.

Kurse, Muharrem Sahiti thotë se falë lidhjes së ngushtë që ka me Gjilanin, vazhdon sigurt ta udhëheqë këtë ekip, i cili po kalon nëpër kohë të vështira. “Tek unë ka ndikuar lidhja ime shpirtërore që kam me Gjilanin. Prandaj, kam qëndruar në krye të Shtabit Teknik të Gjilanit, pavarësisht problemeve të shumta që ka klubi. Në kësi situatash, nuk kisha qëndruar në asnjë klub tjetër, por me Gjilanin jemi shpirtërisht të lidhur”, deklaroi trajneri i Gjilanit.

Express ka provuar të kontaktojë edhe me Fidaim Haxhiun e Trepçës, por kjo ka qenë e pamundur. Sidoqoftë, kur ka kaluar vetëm gjysma e këtij kampionati, janë shënuar plot njëmbëdhjetë raste të ndërrimit të trajnerëve, dhe deri në fund, ky numër pritet të rritet akoma më shumë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›